Etiketime fyese mes shqiptarëve në Mal të Zi, një fenomene i shoqërive primitive
Si antitrup i cili gërmon mbi krijimin e imazhit të mirëfilltë të një intelektuali të ri, fenomeni i etiketimit me anë të të cilit piketohet si spiun personi që merret me aktivitete shoqërore, ka për qëllim thyerjen e moralit të intelektualëve shqiptarë duke injektuar “kompleksin” ku aktivitetet shoqërore bëhen “mollë e ndaluar”. Edhe Xhejms Bondi do kishte mbetur pa punë ose kishte ndërruar profesion, po qe se kjo dukuri të ishte e vërtetë.
Është tejet e rëndësishme të dihet pse lindi kjo anomali shoqërore, apo pse është paraqitur kjo shprehje patologjike në mesin e popullit shqiptar në Mal të Zi, si dhe të dihet dallimi apo të tërhiqet një paralele mes shpifjes dhe profesionit. Sigurisht se askush nuk mund të japë një përgjigje, apo recetë me anë të së cilës do të shërohej kjo sëmundje shoqërore.
Janë disa terma me anë të së cilave etiketohen këta persona: spiuna, agjentë, udbasha, debeovca, etj. Të gjithë këta emra janë në përdorim të përditshëm lokal për të fyer apo shpifur mbi emrin e personit të etiketuar.
Ndryshe nga të etiketuarit janë profesionistët të punësuar në institucionet përkatëse të cilët janë të specializuar për të parandaluar një vepër penale apo krim të organizuar. Këta persona kryejnë punë të tjera të cilat mbrojnë rendin kushtetues dhe sovranitetin e shtetit, nga personat apo grupet e rrezikshme, të cilët dyshohet se mund të kryejnë akte kriminogene, terroriste nga të cilat rrezikohet shteti dhe banorët e tij. Imazhin mbi këta persona kryesisht e krijojmë përmes emisioneve televizive apo edhe nga shtypi
Ata i imagjinojmë si mjeshtra në hapjen e propagandës për efekte të caktuara që krijojnë huti, konfuzion apo dezinformojnë opinionin, por edhe si persona të cilët inflitrohen në mesin e grupeve që krijohen si lëvizje për vetëdijesim nacional, dhe për të fituar të drejta më shumë për grupin e vet etnik dhe përmes personave të tillë kontrollojnë lëvizjet e masave të ndryshme.
Në mënyrë masive kjo dukuri ishte aktive gjatë Luftës së ftohtë, me ç’rast këto agjentura janë përdorur nga shtetet për rrëzimin e komunizmit dhe pushteteve diktatoriale nëpër botë nga viti 1945 deri1990.
Në botë janë të njohura CIA Amerikane, KGB-ja Ruse, M16 Britanike, Mosad-i i Izaraelit, KOS-i i Serbisë, kurse në Mal të Zi ishte UDB-ja apo sot Agjencia për Siguri Nacionale (ANB) etj.
Kurse në terrenin lokal, shprehja “filani është spiun”, përdoret për të diskredituar personalitet e caktuara të cilat merren me punë dhe aktivitete publike dhe kështu krijojnë efekte momentale të diskreditimi, ose eliminimin e rivalëve brënda partive politike, apo në raste të ndryshme, kur e përdorin si dezinformatë, e cila nga masa merret si e vertetë momentale, me efekt të shkurtër por shkatërrues.
E keqja më e madhe është se këto etiketime dëgjohen më së shumti gjatë kohës së zgjedhjeve dhe më pas këto veprime anësore i arsyetojnë me fjalët “Kjo është politikë”
Nuk them se nuk ka të angazhuar persona të tillë në këto misione dhe nuk dihet për numrin e saktë të tyre në mesin e shqiptarëve të Malit të Zi apo në diasporë, por nuk mund të jetë edhe aq i madh sa, çdonjëri që e flet një fjalë për të drejtat apo për të kundërshtuar të padrejtat të etiketohet si “spiun”.
Ky etiketim mund të jetë shprehje e cila buron nga frika, xhelozia, urrejtja, apo hakmarrja ose mund të jetë edhe prodhim apo detyrë e ngarkuar që nëpër kafene apo lokale të ndryshme hapin dezinformata me qellime diskreditimi të personaliteteve publike.
Në anën tjetër po nga të njëjtit propagandues kemi edhe shprehje lëvdatash për personat të cilët duan për një natë t’i ngritin dhe ti bëjnë të pranueshëm në popull.
Prandaj, kjo dukuri dhe strategji e mjeshtrave të zanatit që punojnë në hije dhe prodhojnë mjegull, në mesin e qytetarë të thjeshtë krijon huti dhe kështu kurrë nuk i dihet filli apo fundi i këti labirinti.
Derisa, ne si popull mos të dimë të mbrohemi nga ky konspiracion me anë të cilit na ndajnë dhe pëçajnë përmes formulës “divide et impera” nuk do të kemi sukses në krijimin e një ambienti të tolerancës dhe të respektit të ndërsjellë, jo vetëm në mes vetit por edhe në raport me të tjerët. Përderisa intelektualët tonë nuk çlirohen nga ky kopleks dhe nga gjendja e frikës se dikush i përgjon apo i përcjellë në këtë mënyrë u krijohet një gjëndje e psikozës se “Çdo gërmush lëviz”, me anë të së cilës krijohet efekti i izolimit në vete dhe ikja nga kontributi për komunitetin në drejtim të avancimit të të drejtave. Përderisa këto paragjykime dhe stereotipe mos t’i largojmë nga mentaliteti ynë, ne si popull do të kemi deficit në krijimin e elitës e cila do të na udhëheqë dhe të na prezantojë në mënyrë dinjitoze.
Hapi i parë është të fillojmë të besojmë dhe t’i bindim të tjerët të na besojnë.