Arben Qirjako ka aq lidhje familjare me Alba Qirjakon, sa mund të ketë Edi Rama me Ina Ramën

Mediat e kontrolluara nga kryesocialisti i dëshpëruar, për të cilat është caktuar si brigadier një industrialist i shpifjes po kërkojnë skandal edhe atje ku nuk ka, sipas logjikës se shpifja do lërë diku ndonjë njollë
Mediat e kontrolluara prej kohësh nga Edi Rama, apo edhe të tjera që e kanë lënë veten në përdorim të Edi Ramës, në emër të Edi Ramës dhe për llogari të Edi Ramës, mund të bëjnë të pabërën, biles..., biles deri atje sa mund të lënë edhe meshkuj me barrë. Të kuptohemi, pa u hyrë në hise ligjeve të natyrës, kjo nuk mund të ndodhë. Por gjithsesi, për gazetat e kontrolluara nga Edi Rama, kjo nuk do të thotë asgjë, sepse për ato “mjafton filli se çorap e bëjnë vetë pastaj”...
Në këtë kontekst, jo më larg se dje, mediat e kontrolluara prej Edi Ramës, në misionin e tyre të sforcuar të tipit “shpif, shpif se diçka do të mbetet”, kishin marrë përsipër që “skandalin e Orikumit”, ta zhvendosnin edhe atje ku nuk ka asnjë mundësit ët ndodhë, në Tiranë.
Për pasojë, si gjithmonë, pa informacione të konfirmuara, por thjesht dhe në nivelin e aludimeve dhe hamendësive, pasi kishin konsumuar “argumentin” e Rrahman Selmanllarit pronar, ishin rrekur ti shtonin në farefis, Arben Qirjakos, Kryeregjistruesit të Republikës së Shqipërisë, një bashkëpronare të tokës së “skandalit të Orikumit”, vetëm se ajo Alba, për koincidencë, mban mbiemrin Qirjako. Me pak fjalë, Arben Qirjako, do s’do, që prej ditës së djeshme ka në inventarin e familjarëve dhe farefisit të vet edhe Alba Qirjakon, sepse këtë “e thonë gazetat”.
Dhe kur këto gazetat kontrollohen nga Edi Rama, shanset për ta besuar rriten, sepse në një moment të caktuar, në qoftë se Edi Rama, do t’i mbushte mendjen vetes, se në emër të shprehjes së famshme “nuk bëhet gjaku ujë”, e ka në farefis Kryeprokuroren Ina Rama, këto gazeta të njëjta, nuk do ta vinin aspak në dyshim, vetëm pse edhe këtë do ta thoshte, gjithmonë, Edi Rama...
Larg paralelizmave, kur për shkak të mbiemrave të njëjtë, shembujt për bashkëngjitje në farefis, nuk mungojnë dhe se drejtuesve apo edhe botuesve të gazetave të kontrolluara nga Edi Rama, mund t’ju gjenden e bashkëngjiten në farefiset respektivë, të gjithë personat, që mbajnë mbiemrat respektivë me këta drejtues e botues gazetash... dhe pastaj edhe ai fshatari që tregojnë atë fabulën, do të besonte se gjithë gomerët buzëbardhë në fshat, ishin të tijtë, sepse i tillë ishte edhe gomari që ai kishte blerë në pazar.
Kryeregjistruesi i Republikës së Shqipërisë Arben Qirjako, mohon të ketë lidhje farefisnore me ndonjë pronar toke në Orikum
“Aludimet dhe hamendësimet i konsideroj të qëllimshme, tendencioze dhe dashakeqëse”
“Për sa i përket aludimeve të bëra në dy gazeta të përditshme ‘Gazeta Shqiptare’ dhe gazeta ‘Tema’ në numrat e tyre respektivë të datës 30. 10. 2009, për lidhjet e supozuara, që unë Arben Lefter Qirjako, Kryeregjistruesi i Republikës së Shqipërisë, kam me shtetasen Alba Besim Sinanaliaj (Qirjako), deklaroj se as unë, por edhe asnjë pjesëtar i familjes sime, nuk kemi lidhje farefisnore me këtë shtetase.
Saktësojmë gjithashtu, se lidhje farefisnore nuk kam as me bashkëshortin e saj.
Me këtë rast, vëmë në dukje se aludime dhe hamendësime të tilla, që kanë për qëllim dëmtimin e imazhit tim dhe të institucionit që unë drejtoj, konsiderohen, të qëllimshme, tendencioze dhe dashakeqëse”.
Rrahman Selmanllari, padi në gjykatë për shpifje
“Tokën e kam blerë konform rregullave, ajo është jashtë kufijve të konfliktit në Orikum”
“Sot në disa të përditshme të kontrolluara dhe financuara nga opozita u publikuan
disa shpifje sipas të cilave Rrahman Selmanllari ka vjedhur, zaptuar apo zbuar
njerëz nga tokat e tyre.
Pa dashur të polemizoj me mediat në fjale dua të sqaroj publikun se unë njëlloj si pronarët e mediave që më sulmojnë kam blerë tokë të certifikuar si të lirë e të rregullt në hipotekë, e për të cilën brenda ligjit kam paguar paratë si dhe kam lëshuar apartamente në Tirane në përfitim të pronarëve të tokës.
Toka që unë kam blerë brenda të gjitha rregullave është e ndarë dhe e përcaktuar me kufij të qartë nga pronat e pronarëve të tjerë në zonë. Ndryshe nga sa pretendohet unë nuk kam ndërtuar asnjë metër katror në Orikum por njëlloj si shumë pronarë të tjerë ja kam dhënë pronën e blere, me përqindje një kompanie të njohur ndërtimi.
Që nga momenti që unë e kam blerë pronën në fjalë e deri tani ku aty ka
përfunduar ndërtimi (i referohem pronës time) askush nuk më ka kontaktuar apo
ngritur pretendimin as në rruge ligjore e as në forma të tjera qoftë dhe për një
metër katror të pronës që unë zotëroj.
Nëse ju si media gjeni qoftë dhe një person që pretendon se ka qoftë dhe një
centimetër tokë në përdorim brenda pronës time unë jam i gatshëm të
ballafaqohem me të me letra dhe dokumente.
Qëllimi dhe dëshira për të përfshirë emrin dhe pronën time në një histori konflikti ndërkohë që ajo zhvillohet jashtë tokës dhe interesave të mia janë dhe mbeten manovra politike të mediave mercenare, pronarët e të cilëve janë në fakt zotëruesit më të mëdhenj të pronës në bregdet!
Gjithashtu ju bëj me dije se ditën e hënë do të bëj një padi në Gjykate për këtë problem”.