Vatikani kërkon liri fetare dhe të drejtat e pakicës së krishterë në Iran
Autoritetet iraniane duhet t’u garantojnë të krishterëve lirinë e fesë së vet: kjo është thirrja e Papës Benediktit XVI drejtuar ambasadorit të ri të Republikës islamike të Iranin, Ali Akbar Naseri, të cilin e priti sot paradite në Vatikan me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale. Ati i Shenjtë Jozef Racinger ripohoi vullnetin e Selisë së Shenjtë për përforcimin e marrëdhënieve me Teheranin dhe uroi që Irani të mbështesë, plot besim, fazën e re të bashkëpunimit ndërkombëtar për të punuar e për të arritur paqen globale.
Benedikti XVI shprehu besimin e tij që Irani “të ketë një hapje gjithnjë e më të madhe” dhe një “bashkëpunim plot besim me bashkësinë ndërkombëtare”. Prandaj - nënvizoi Ati i Shenjtë Racinger, - Selia e Shenjtë dëshiron t’i “konsolidojë marrëdhëniet e veta me Republikën islamike të Iranit”, duke favorizuar “mirëkuptimin reciprok dhe bashkëpunimin për të mirën e përbashkët”. Sot, vijoi Papa, “të gjithë duhet të shpresojmë e të mbështesim fazën e re të bashkëpunimit ndërkombëtar, bazuar më shumë te parimet njerëzore e tek ndihma reale për ata që vuajnë”. Ati i Shenjtë në vijim u ndal tek liria fetare dhe liria e ndërgjegjes që janë burim i të gjitha lirive të tjera. Në të njëjtën kohë, Ati i Shenjtë Racinger pohoi se promovimi i mbrojtjes së jetës, i drejtësisë dhe solidaritetit duhet të jenë objekt i një bashkëpunimi konkret. Papa pastaj kujtoi bashkësinë katolike të Iranit, e cila, nënvizoi ai, është e pranishme në këtë vend që prej shekujve të parë të Krishterimit. Selia e Shenjtë, tha Papa, “ka besim që autoritetet iraniane do të dinë ta përforcojnë e t’ua garantojnë të krishterëve lirinë e rrëfimit të fesë së tyre” duke i siguruar bashkësisë katolike “kushtet themelore për ekzistencën e saj”, në mënyrë të posaçme, mundësinë për të pasur personelin fetar të mjaftueshëm për kërkesat shpirtërore të besimtarëve. Më tutje, Papa uroi që të përmirësohet situata e bashkësisë së krishterë në kuadrin e shoqërisë civile, dhe ripohoi mbështetjen e Selisë së Shenjtë ndaj Kishave vendore lokale në mënyrë që të ndihmohet bashkësia katolike iraniane për t’i mbajtur gjallë shenjat e pranisë së krishterë në atmosferën e harmonisë me të gjithë. “Ndërtimi i marrëdhënieve të përzemërta ndërmjet besimtarëve të feve të ndryshme - tha në vazhdim Papa - është nevojë urgjente e kohëve tona, më qëllim që të ndërtohet një botë më njerëzore e më në përputhje me planin që Zoti ka për Krijimin”. Ati i Shenjtë përgëzoi për ekzistencën, prej disa vitesh, të takimeve të rregullta ndërmjet Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar dhe Organizatën për Kulturën e Marrëdhëniet islamike. Kjo nismë, tha në përfundim Papa, u mundëson të gjithëve të bëjnë përparime në ndërgjegjësimin e reflektimin e anasjelltë mbi çështjet e mëdha që kanë të bëjnë me jetën e njerëzimit.
Papa Benedikti XVI: Në “planetin dixhital” të mediave, Kisha të promovojë një kulturë që respekton dinjitetin njerëzor/Në një epokë në të cilën kultura lind, përpara se të lindë thelbi i përmbajtjes, nga vetë mënyrat nëpërmjet të cilave ajo përçohet, kumtimi i Ungjillit dhe i vlerave të krishtera nuk mund të veçohet nga përdorimi profesional i mediave, edhe të atyre që janë më të rejat. Ky është mendimi kryesor që Papa Benedikti XVI shprehu duke pritur sot paradite në Vatikan pjesëmarrësit në plenaren e Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore. Gjatë audiencës Papa kujtoi edhe 50-vjetorin e Filmotekës vatikanase, e cila në arkivat e veta ruan - si minutazh - më se një shekull material filmik që tregon historinë e Kishës. Një “komunikim i shpejtë që të pushton të tërin”, e që serviret nga teknologji në zhvillim të pandërprerë, i aftë të krijojë dhe të përhapë ide dhe lajme me mënyra që janë në të njëjtën kohë kapilare dhe globale, interaktive dhe të ndërlidhura. Ati i Shenjtë Benedikti XVI i përkufizoi saktë mjetet e reja të komunikimit, zhvillimin dhe revolucionin që ata kanë sjellë dhe po sjellin. Papa përmendi sensibilizimin e gjerë dhe “vetëdijen e ndërgjegjshme”, që të paktën duke filluar nga Koncili II i Vatikanit e deri më sot, Kisha “ka mbështetur dhe ka promovuar” nëpërmjet dokumenteve të ndryshme të magjisterit të saj. Sidoqoftë nuk është e thjeshtë të kuptohet plotësisht dhe të kodifikohet një sistem, ai i komunikimeve shoqërore, që nuk resht së degëzuari në instrumente të reja: “Në fakt kultura moderne buron, - përpara se nga përmbajtja e mesazhit që përcjell, - nga vetë ekzistenca e mënyrave të komunikimit që përdorin gjuhët e reja të komunikimit, që përdorin teknikat e reja duke krijuar qëndrime të reja psikologjike. E gjitha kjo përbën një sfidë për Kishën, e cila është e thirrur t’ua shpallë Ungjillin njerëzve të mijëvjeçarit të tretë, duke e ruajtur të pandryshueshme përmbajtjen, por duke e bërë më të kuptueshme, falë instrumenteve dhe mënyrave që i përshtaten mentalitetit dhe kulturës së sotme”. Që para 20 vjetësh - kujtoi më tej Papa Racinger, - Gjon Pali II tek enciklika Redemptoris Missio thoshte se “nuk mjafton” të përdoren mediat për të përhapur mesazhin e krishterë, por se “duhet që mesazhi vetë të futet në këtë kulturë të re të krijuar nga komunikimi modern. Sot pas njëzet vjetësh, pohoi Benedikti XVI “karakteri multimedial dhe ndëraktiviteti struktural i mediave të reja... ka zvogëluar, në një farë mënyre, specifikën e secilit prej tyre, duke i dhënë jetë, dalëngadalë një sistemi global komunikimi, prandaj, ndonëse secili prej këtyre mjeteve e ruan karakterin e vet të veçantë, evolucioni i tashëm i botës së komunikimeve na detyron gjithnjë e më shumë të flasim për një formë të vetme komunikimi, e cila bashkon në vetvete zëra të ndryshme ose i vendos ato në një plan të ndërsjellë bashkëveprimi”.
Marrë nga Radio Vatikani