E Shtunë, 31 Tetor 2026

Etnografia, me çmimin e komunizmit



Pasuria etnografike që zotërojnë muzetë në të gjithë Shqipërinë ruajnë çmimet e komunizmit, objekte të inventarizuara me vleftë fare simbolike për kohën e sotme. Vetëm fondi etnografik që ka sot Qendra e Albanologjisë, sipas regjistrit ekzistues, llogaritet të jetë 4 milionë e pesëqind lekë të vjetra. Kjo shumë sot është qesharake ku vetëm një objekt i rrallë mund të kapë shifrën 1 milion eurove. Specialisti i vetëm në vend i restaurimit, shefi i Akseometrisë, Frederik Stamati, na flet për rivlerësimin e këtyre objekteve të etnografisë. Ky proces po ndodh për herë të parë pas 18 viteve, të shkëputjes nga diktatura. Me urdhër të ministrit të Kulturës do të bëhet riorganizimi i grupit të njerëzve, specialistëve që do të merren me rivlerësimin e fondit të etnografisë që zotëron Instituti i Kulturës Popullore

E imagjinoni që sot në inventarin e fondit të etnografisë shpata e Sulltan Bajazitit ka vleftën prej 700-800 lekëve të vjetra. Ky regjistrim financiar ekziston qysh në kohën e Enverit, ndërsa sipas specialistëve, vlefta reale e objektit të mësipërm shkon mbi 1milion euro. Çmimi fillestar i objekteve të etnografisë, që “mbrohet” nga vlerësimi i sistemit të kaluar ekonomiko-politik ruan lekun e vjetër, të po atij sistemi. Vlefta në lekë e gjithë fondit etnografik që zotëron sot Qendra e Albanologjisë, sipas regjistrit ekzistues, llogaritet të jetë 4 milionë e pesëqind lekë të vjetra. Me këtë shumë as shteti nuk t’i hedh sytë, e jo më ndonjë investitor për të ruajtur e mbrojtur veprat unikale e të rralla të fondit etnografik. E përkthyer në sistemin e ruajtjes së tyre, kjo do të thotë vend për abuzim e vjedhje dhe justifikim të humbjeve që realisht kanë ndodhur.

Janë shifra dyshuese për humbjet që kanë ndodhur në arkivin etnografik, por që nuk është denoncuar asnjëherë. Vetëm një rast gjyqësor ekziston, sa për të kaluar radhën apo për të justifikuar historinë e vjedhjeve, të objekteve që sot nuk ekzistojnë, por gjenden në listën e inventarit.

Specialisti i vetëm në vend i restaurimit, shefi i Akseometrisë, Frederik Stamati, na flet kështu për rivlerësimin e këtyre objekteve të etnografisë. Ky proces po ndodh për herë të parë pas 18 viteve, të shkëputjes nga diktatura. Ndërsa më parë ishte ngritur një komision, që kishte jo vetëm procesin e punës nga pas, por edhe koston financiare, ka pak ditë që është kthyer mbrapsht. Me urdhër të ministrit të Kulturës do të bëhet riorganizimi i grupit të njerëzve, specialistëve që do të merren me rivlerësimin e fondit të etnografisë që zotëron Instituti i Kulturës Popullore.

Cilat ishin arsyet që nxitën idenë e rivlerësimit të objekteve etnografike, pse nuk është bërë më parë ky vlerësim financiar?

Objektet që ndodhen në fondin etnografik, janë objekte të blera në popull gjatë një periudhe shumë të gjatë kohore, duke filluar nga viti 1946, siç dokumentohet në regjistrat që janë aty dhe që në atë kohë kanë qenë të Institutit të Shkencave.

Aty ka edhe një sërë objektesh të cilat kanë qenë në Muzeun Historik para luftës, dhe i kanë kaluar sërish Institutit, pastaj me transformimet që u bënë në Universitetin e Tiranës dhe përfundimisht mbetën në fondin etnografik të Institutit të Kulturës Popullore dhe sot janë në inventar të Qendrës së Studimeve Albanologjike.

Në qoftë se do të shikosh regjistrat, kuptojmë se të gjitha objektet e kanë një çmim, por çmimet me të cilat janë inventarizuar këto objekte janë fare simbolike jo vetëm për kohën e sotme, por edhe për të kaluarën për shembull ka çmime me katër dhe pesë mijë lekë.

Mund të na përmendni ndonjë objekt etnografik që ka çmimin më qesharak në krahasim me tregun që mund të ketë sot? Është kaq e thjeshtë çështja e çmimit?

Janë objekte me çmime fare të ulëta, siç është për shembull rasti i shpatave, sidomos ajo e Sulltan Bajazitit që vlerësohet rreth 1milion euro sot, ndërkohë që është e inventarizuar me 700-800 lekë të vjetra. Por ka dhe objekte të tjera të rralla, unikale që janë me çmime fare qesharake.

Kjo nuk mund të shkojë më, jo se nga ana financiare një objekt mjafton të ketë një shifër sa për t’u paraqitur në inventar për t’u regjistruar. Por ka disa gjëra prapa kësaj; në radhë të parë ne duhet të dimë saktësisht se çfarë kemi dhe duke e ditur këtë, atëherë lindin një sërë detyrimesh morale ndaj këtyre objekteve.

Kur ke në dorë një objekt i cili nuk ka atë vlerën e vet, por ka p.sh. një vlerë pesë lekë, dhe vetvetiu njeriu nuk tregon atë kujdes. Pra, aq sa kushton, është edhe interesi. Me çmim real gjithkush detyrohet të ketë kujdes.

Vetëm kjo është arsyeja, kujdesi?! A ka qenë ky çmim një mundësi e madhe për të abuzuar, vjedhur objektet etnografike? Humbjet që kanë ndodhur, zhdukjet, vjedhjet mund të shihen dhe nga kjo anë...

Ne nuk mund të flasim dot me këtë term, sepse aty është një institucion shkencor i cili ia di vlerën shkencore të tyre, por kjo vlerë shkencore nuk është reflektuar në vleftën financiare. Pse duhet reflektuar kjo në vleftën financiare ka disa arsye. E para: vlefta totale e objekteve etnografike që ne kemi nën ruajtje, është 4 milionë e pesëqind mijë, por ky çmim është fare simbolik, sepse duke marrë parasysh vleftën reale shkon me qindra miliona euro dhe kur vjen puna për ta mirëmbajtur këtë fond, për ta siguruar, për ta trashëguar ka një kosto financiare, që nga instalimet ruajtja, drita, dollapët, fotografimi, menaxhimi, dokumentimi etj.

Në qoftë se dikujt i thua se kam një fond etnografik me një vlerë 4 milionë lekë, nuk i bie ndërmend njeriut për këtë, kurse kur i thua qeverisë p.sh. prit se kemi një pasuri me vlerë qindra milionë euro dhe unë dua këto dhe këto pajise teknologjike për ta ruajtur dhe trashëguar, atëherë është ndryshe dhe ai tjetri në financë e kupton se këtu është një vlerë e madhe. Pra, vetvetiu njerëzit, duke pasur etnografia këtë vlerë, do të ndërgjegjësohen për të financuar, por do të jemi të motivuar edhe ne për të kërkuar financim nga qeveria.

Atëherë, si janë justifikuar deri tani të gjitha humbjet që kanë ndodhur në fondin etnografik?

Aty nuk ka pasur ndonjë humbje të madhe. Dikur ishte një ekspozitë etnografike te ekspozita “Shqipëria sot”, atëherë u vodhën, por më tepër ka qenë një inflacion për të liruar ndërtesën. Kurse, nuk mund ta cilësoj dot, humbje ose vjedhje, sepse këtë duhet ta thonë organet kompetente të hetuesisë apo gjykatës. Humbja, pra, prej 100 e ca objektesh për të cilat është shkruar edhe në media, them se një nga ato shkaqet që lejuan këtë mund të jetë edhe çmimi shumë i ulët i objekteve. Prandaj e pohoj se kur të jetë çmimi i lartë, do të ketë vëmendje më të mirë nga çdo anë. Madje, edhe kur një punonjës merr në dorë një objekt i cili kushton 100 lekë, do të jetë ndryshe përgjegjësia, nga vlefta 1 milion lekë që do të ketë ai objekt tani e tutje.

Ka pasur raste konkrete të vjedhjeve nga fondi etnografik që janë denoncuar?

Ka pasur një rast para dy vitesh. Çështja i ka kaluar gjyqit dhe është në proces, në ndjekje.

Çfarë është parashikuar si masë ligjore në raste të tilla, pra, të humbjeve, tani që marrim vesh që ato objekte nuk do të preken dot nga çmimi i kripur që do të kenë?

Nuk mund të themi asnjë fjalë për këtë, sepse mungon ligji. Me rivlerësimin e objekteve vjen edhe çështja e rishikimit të ligjit për trashëgiminë, për të ndërhyrë në marrjen e masave për konservimin e objekteve. Në ligj ka edhe nene për biletën, por nuk thotë çfarë duhet të plotësojë Muzeu për ato që vjedh koha, pluhuri dhe vitet.

Sa prej këtyre objekte të etnografisë janë të inventarizuar?

Të gjitha objektet kanë qenë gjithmonë të inventarizuara.

Po procesi i katalogimit të tyre, pajisja me pasaportën e njohjes, si po shkon?

Katalogimi i një pjese të këtyre objekteve është bërë dhe po vazhdon puna për përfundimin e kësaj detyre për të kaluar në Qendrën e Trashëgimisë. Në fillim të vitit të kaluar për të regjistruar 1100 objekte për Muzeun Etnografik u desh të mobilizoheshin mbi 8-9 veta në punë, ishte një muaj intensiteti fotografimi. Bëhej fjalë për dhjetëra mijëra objekte. Është një punë që ka kosto.

Objektet që do të rivlerësohen, cilat institucione do të përfshijë, nga ku do të nisë puna?

Ne kemi detyrë të rivlerësojmë objektet e Qendrës Albanologjike, për të hequr çdo lloj mundësie për abuzim. Më pas, do të nisë procesi i rivlerësimit në çdo muze, në të gjithë Shqipërinë. Ky është hapi i parë që duhet bërë. Kishim menduar të fillonte puna në fillim të shkurtit dhe të përfundonte ajo më kryesorja brenda 2 muajve.

Cilat janë kriteret që do të ndiqen për rivlerësimin e objekteve?

Kriteret janë të përcaktuara saktësisht, ku së pari nis me vlerat historike, artistike dhe unikaliteti, materiali me të cilën është punuar objekti si dhe gjendja e tyre fizike.

A janë caktuar emrat e komisionit, të njerëzve që do të merren me rivlerësimin e objekteve?

U ngrit një komision nga Qendra e Albanologjisë, por në një takim me ministrin e Kulturës u vendos që ky komision të përzgjidhet nga ky dikaster. Ishte parashikuar që brenda dy muajve të mbyllej procesi i rivlerësimit në objektet që gjenden në Qendrën e Albanologjisë, por jemi në pritje të emrave të komisionit nga ministria. Emrat nuk janë përcaktuar dhe detyrimisht jemi në këtë fazë, ku pritet të nisë për herë të parë procesi i rivlerësimit të objekteve të etnografisë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›