Nis alterteksti, ministria rimiraton tekstet ekzistuese
Ministria e Arsimit ka shpallur dje nisjen e alterteksit për vitin 2009. Këtë vit, të gjitha klasat do të kenë një mori tekstesh për të përzgjedhur, ndërkohë që në konkurrim nuk do të hyjnë tekstet ekzistuese për ato lëndë ku ka më shumë se tri alternativa. Përzgjedhja do të kryhet në muajin maj, ndërsa tekstet e propozuara nga botuesit do të duhet të paraqiten në javën e fundit të prillit pranë Ministrisë së Arsimit.
Të gjitha klasat
Këtë vit, nga klasa e parë e shkollave nëntëvjeçare e deri në vitin e katërt të shkollave të mesme, do të ketë një mori alternativash për të zgjedhur tekstet shkollore. Këto tekste do të përzgjidhen nga mësuesit e shkollave me anë të disa komisioneve që do të ngrihen në çdo zyrë arsimore në vend. Ministria e Arsimit ftoi dje hartuesit e librave shkollorë që të paraqesin propozimet e reja. Dorëzimi i teksteve të reja do të bëhet në MASH, nga data 20 deri në 27 prill 2009.
“Ftohen të gjitha shtëpitë botuese të paraqesin variantet e tyre të teksteve që janë në përdorim, me një dhe dy alternativa, si dhe për titujt e teksteve të pabotuara deri tani, për të marrë pjesë në tregun konkurrues, i cili do të funksionojë në përputhje me udhëzimin e Ministrit të Arsimit”, – bëri të ditur Ministria e Arsimit.
Sipas saj, secili nga botuesit e interesuar mund të marrë pranë sekretarisë së Komisionit të Miratimit të Teksteve në MASH Paketën Informuese Altertekst 2009, me hollësitë e nevojshme për kushtet dhe kërkesat për të aplikuar.
Ripërtërihen kontratat
Por, jo të gjitha tekstet do të duhet të ripërtërihen. Ministria e Arsimit ka vendosur që për ato lëndë, ku ekzistojnë tri ose më shumë tekste alternative nga viti i kaluar akademik, nuk do të pranohen propozime të reja, por do të ripërtërihen kontratat me ndryshime të caktuara që do të kryhen pas rishikimit të këtyre teksteve nga Komisioni i Miratimit që qëndron pranë ministrisë.
“Për vitin shkollor 2009-2010 përjashtohen nga konkurrimi tekstet shkollore të certifikuara, që janë në përdorim me tri dhe më shumë alternativa, – bën të ditur MASH-i. – Për këto tekste MASH-i do të rilidhë kontratat me botuesit përkatës pas korrigjimit të vërejtjeve që Komisioni i Miratimit të Teksteve do të ketë për tekste të veçantë”.
Ndërkohë, për ato lëndë ku ekzistojnë më pak se tri tekste alternative, do të rikryhet procedura edhe për tekstet ekzistuese, në mënyrë që të përzgjidhen variantet më të mira.