E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia: Si ma mashtruan dhe trafikuan vajzën



Një dëshmi e dhënë për të disatën herë, në prokurori dhe gjykatë, duke drejtuar gishtin nga fajtorët, të cilët janë duke u gjykuar në gjendje të lirë. Njëri prej tyre tashmë është dhëndri i tij, ndërsa tre të tjerët janë personat që kaluan dorë më dorë, përmes shifrave të ndryshme vajzën e tij, A. Mullaumeti. Edhe vetë vajza ka dhënë dëshminë e saj para gjykatës, duke deklaruar itinerarin nga shtëpia e saj në një fshat të Dibrës deri në Durrës, peripecitë e rrugës, abuzimet seksuale dhe më pas shitjet dhe tentativa të tjera për ta shitur. Dje i ka ardhur radha sërish për të dëshmuar para gjykatës babait të vajzës, Hekuran Mullaumetit, i cili ka shpjeguar si mori vesh largimin e vajzës, njoftimin që ishte në Durrës, faktin që ishte lidhur me një djalë me emrin Ervin Premçi, si dhe të tjera fakte të rënda që kishin të bënin me tentativat për ta shitur atë drejt Italisë ose Greqisë. “Ditën që më është larguar vajza kam qenë në punë. Ka qenë korrik 2002. Sapo shkova në banesë më thanë që vajza Afërdita ishte larguar. Të nesërmen në shtëpi kishte ardhur Nard Manjani. Ai kishte pyetur gruan se ku e kishin vajzën. Gruaja i ishte përgjigjur që nuk e dinte. Ai i kishte thënë që “vajzën e ka marrë Sylbie Elezi. Bjerini prapa se vajzën do t’ua nxjerrin në Itali”. Gruaja kishte bërë denoncimin në polici. Policia kishte marrë Sylbie Elezin dhe ajo i kishte thënë që vajzën e ka marrë Artan Feraku. Policia është vënë në ndjekje dhe e ka gjetur në një lokal, ndërsa vajza nuk ishte aty. Të nesërmen morëm vesh se ishin kapur edhe Bardhi Ademi dhe Urim Lani. Po atë ditë kam komunikuar me baxhanakun tim Baftjar Hoxha në Durrës. Më tha që vajza nuk ishte tek ai. Pas disa çastesh, ai më mori në telefon dhe më tha që po e priste vajzën tek ura e Dajlanit. Ajo i kishte thënë ta priste aty, por ai nuk po e shihte”, - ka nisur të tregojë para gjykatës dëshmitari Hekuran M. Sipas tij, që prej asaj dite nuk e kishte parë më vajzën e tij. “Teksa kthehesha në banesë kam takuar atë ditë në rrugë Bardh Ademin. I thashë: Ke dorë në humbjen e vajzës sime? Më tha që “unë nuk merrem me këto pun디, - tregoi më tej ai. Pas katër muajsh kur shpresat ishin shuar në gjetjen e vajzës, dëshmitari i kishte shkruar katër letra, të cilat ia kishte nisur Presidentit të Republikës, Kryeministrit, ministrit të Rendit dhe Prokurorisë së Përgjithshme. “Nga këto letra pas 5 ditësh me erdhën 2 përgjigje. Ajo e Presidentit thoshte që problemi i ishte bërë i ditur Kryeministrisë. Letra e ardhur nga Kryeministria thoshte që u është komunikuar organeve kompetente, që të punojnë për zbardhjen e ngjarjes dhe që kjo ngjarje të shihet me përparësi”, - shtoi Hekurani.

Trafiku

Gati një vit pas ngjarjes, në vjeshtën e vitit 2003 familja e vajzës është vënë në dijeni se ajo ishte gjetur në Kosovë. “Vajza më tregoi se Artan Feriku e kishte marrë për grua. I kishte thënë se e kishte gruan e sëmurë. Ishin nisur në drejtim të Durrësit. Pas njëfarë rruge, ai i kishte thënë që “unë gruan e kam dhe nuk mund ta lë, por unë mund të të çoj në Itali”. Vajza i kishte thënë që në Itali kishte ca kushërinj, që nuk do ta linin pa e vrarë. Në vijim e kishte çuar tek një lokal karburanti në pronësi të Urim Vranës. Vajza i kishte thënë: “Ose do më marrësh për grua, se në Itali nuk më çon”. E kishte lënë atë ditë aty. Të nesërmen personat që qenë në lokal kishin marrë në telefon Artan Ferikun dhe i kishin thënë “hajde merre vajzën””, - ka vazhduar dëshmitari. Sipas tij, Feriku ka shkuar, e ka marrë vajzën dhe e ka çuar atë tek lokali i shtetasve Agim Hoxha dhe Gjergji Xheraku. Ata mësohet ta kenë çuar Afërditën në shtëpinë e Agim Hoxhës, ku nuk kishte njerëz të tjerë. Agimi dhe Gjergji për disa ditë me radhë kanë dërguar në shtëpi persona të ndryshëm, me qëllim shitjen e saj si prostitutë. Pas disa ditësh qëndrimi në këtë shtëpi, Afërdita i ka sugjeruar atyre që të kontaktonin me Ervin Premçit, të cilin vajza e kishte njohur më parë. Ervini e ka sistemuar atë në banesën e tij në një dhomë të katit të dytë. Ditën e tretë të qëndrimit të saj në këtë shtëpi, vajza është zbuluar nga babai i Ervinit, K. Premçi, i cili i ka përzënë të dy nga shtëpia me argumentin se nuk mund ta pranonte bashkëjetesën e tyre. Pas largimit nga shtëpia e tij, Ervini mësohet ta ketë sistemuar Afërditën në shtëpinë e një shoku të tij të quajtur Fredi Qoku, i cili jetonte i vetmuar. Tek shtëpia e Fredit, Ervini dhe Afërdita kanë qëndruar rreth një muaj. Gjatë kësaj kohe, Ervini ka sjellë në këtë shtëpi, nëpërmjet një kushëriri të tij, një shtetas grek, i cili ishte i interesuar për të blerë Afërditën për qëllime prostitucioni, por ka hasur në kundërshtimin e saj. Në mesin e muajit shtator 2002, Ervini vihet në kontakt me Alket Rushitin, të cilit i jep Afërditën. Në një moment që Alketi konstaton se Afërdita ishte shtatzënë, e kthen atë nga e kishte marrë, tek Ervini. “Vajza më ka thënë që Ervini nuk kishte dashur që të kishin fëmijë në këtë kohë dhe kishte vendosur që ta abortonte”, - ka treguar i ati i të dëmtuarës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›