E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sevilja bllokon Dani Alvesh

Presidenti i Seviljes, Hoze Maria del Nido, ka konfirmuar se ky klub ka refuzuar një ofertë prej 25 milionë eurosh për mbrojtësin brazilian Daniel Alvesh, dhe se ai do të lejohej të largohej nëse do të bëhej një ofertë më e kënaqshme. Del Nido vazhdon të këmbëngulë se mbrojtësi i kombëtares braziliane nuk do të shitet me çmim të lirë, ndonëse ka kaluar një vit nga oferta prej 36 milionë eurosh që ai i refuzoi skuadrës së Çelsit. Mendohet se gjatë kësaj periudhe, skuadra më e interesuar është Barcelona, por Mançester Junajtid dhe Juventusi po e shohin me vëmendje situatën, duke bërë gati ofertat e tyre. "Kjo është e njëjta situatë që përsëritet çdo verë. Unë e kam thënë qartësisht edhe më parë se cili është pozicioni ynë. Ne nuk do ta nxjerrim në ankand lojtarin dhe në të njëjtën kohë nuk do të vëmë një çmim fillestar për të. Kemi pasur interesim nga klube spanjolle, italiane dhe angleze, ndërsa kemi refuzuar një ofertë prej 25 milionë eurosh. Ai do të largohet vetëm nëse marrim një ofertë e cila përputhet me idenë që kemi ne për vlerën reale të futbollistit", deklaroi Del Nido për mediat spanjolle. Barcelona po mendon të blejë Fernando Navarron nga Majorka, në mënyrë që t‘ia ofrojë Seviljes si pjesë e marrëveshjes, pasi ishte vetë Del Nido që pranoi interesimin për një futbollist të tillë. "Nëse një skuadër na ofron një lojtar si pjesë e marrëveshjes dhe drejtuesit teknikë të skuadrës janë të interesuar për të, natyrisht që do ta pranojmë një variant të tillë", deklaroi presidenti i skuadrës që ka fituar dy herë Kupën UEFA.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›