Kastrati pranë Dinamo e Drezden në Ligën 3
Bekim Kastrati është pranë firmës me Dinamo Drezden në Ligën e 3-të gjermane. Drejtuesit e këtij klubi e kanë ndjekur me vëmendje testimin e ish-sulmuesit të kombëtares shqiptare dhe tashmë janë të bindur se ai do të ishte një përforcim i duhur për skuadrën e tyre. Lajmi bëhet i njohur nga faqja "online" e gazetës së njohur gjermane "Bild", sipas të cilës, skuadra e Drezdenit e konsideron shqiptarin si një përforcim të ri për sezonin e ardhshëm. Sulmuesi 30-vjeçar me origjinë nga Kosova, i ka bindur drejtuesit e Dinamos, të cilët parimisht i kanë plotësuar edhe kërkesat e tij financiare. Zëdhënësi i klubit, Peter Tauber tha: "Duket qartë që ai është i dobishëm për ne. Bisedimet janë në rrugë të mbarë". Në sezonin 2008-2009, Kastrati luajti për Fortuna Dyseldorf, duke shënuar 5 gola në 37 paraqitje.