Shtypi spanjoll: Alonso në vend të Masës
Felipe Masa është rehabilituar: gjendja e tij dhe kushtet neurologjike po përmirësohen. Por nga spitali i Budapestit mjekët lëshojnë një alarm të ri. "Ka pësuar dëme në sy", ka thënë dje profesor Robert Veres, i cili e ka operuar pilotin e Ferrarit, duke iu përgjigjur kështu pyetjes së gazetarëve. "Nuk e dimë nëse do të mund të rikthehet të garojë apo jo. Felipe Masa, shpjegojnë infermierët, ka pësuar një dëmtim të lehtë në nervin optik të syrit të majtë. Duhet të presim nëse do të jetë në gjendje ta hapë komplet syrin dhe të na thotë në ndjen shqetësime, dhe të çfarë tipi janë këto shqetësime. Megjithatë, gjendja e tij pas operacionit po përmirësohet dhe sinjalet janë të vazhdueshme. Piloti ka zhvilluar "komunikim pasiv" me mjekët: nuk ka folur, por ka dhënë sinjale për përgjigje ndaj fjalëve të infermierëve. Sipas televizionit brazilian, "TV Globo", në fundjavë Masa do të duhet të transferohet në një klinikë parisiene, "Pitiè-Salpetriere". Në Budapest ai është vizituar edhe nga Montezemolo. Piloti spanjoll, Fernando Alonso, mund ta zëvendësojë Felipe Masën në drejtimin e Ferrarit në garën e Valencias. Lajmi bëhet i ditur nga shtypi spanjoll, i cili e jep si shumë të mundshëm kalimin e dy herë kampionit të botës në Maranelo, duke filluar që nga sezoni i ardhshëm. Për shkak të mungesës së njoftimit të pilotit për montimin e gabuar të rrotës së pasme, Renault nuk do të mundet të garojë në Çmimin e Madh të Europës, prandaj Alonso nuk do të jetë prezent para publikut të tij. Që këtu nis hipoteza e një impenjimi të tij me Ferrarin, në rast se apeli i bërë nga skuadra franceze refuzohet. Por zëdhënësja e spanjollit, Patrizia Spineli, përgënjeshtron gjithçka: "Janë vetëm spekulime, të cilat nuk kanë asgjë të vërtetë brenda", ka deklaruar ajo. Për të zëvendësuar Masën, është folur edhe për një rikthim në garë të Majkëll Shumakerit, por edhe ky lajm është përgënjeshtruar në mënyrë të menjëhershme nga menaxheri i gjermanit, Vili Veber, i cili e ka përkufizuar si diçka të pamundur. Më e mundshme është që zgjedhja e Ferrarit të jetë një nga kolaudatorët: Luka Badoer, i cili duket se ka ende probleme nga një incident i pësuar, ose Mark Zhene, që duket se është më favoriti për zëvendësimin e Masës.