E Diel, 1 Nëntor 2026

Eto‘o "fshikullon" Interin: Të japim më shumë në fushë

Në ndeshjen e dobët kundër Juventusit, Samuel Eto‘o ishte njëri mes të paktëve lojtarë interistë që u munduan të bënin diçka. Kundër rivalëve më të mëdhenj të zikaltërve dhe një portieri si Bufon, kamerunasi arriti të shënonte rrjetën e parë jashtë fushe në kampionat. Por, bilanci i përgjithshëm mbetet negativ: "Nuk dëshiroja që rrjeta ime e parë në fushën kundërshtare të shoqërohej nga një humbje përballë Juventusit, tha ai. Të mërkurën, në sfidën kundër Rubin Kazan duhet të japim më shumë në fushën e lojës". Eto‘o mendon se gara është ende e gjatë, ndërkohë që shpreh pakënaqësi edhe për arbitrimin. "Gjithsesi, mendoj se kampionati nuk mbyllet sot dhe nuk do të përfundojë nesër. Kemi ende edhe shumë ndeshje, edhe pse të vjen keq të humbasësh në një sfidë me Juventusin. Pësuam dy gola që mund t‘i kishim evituar dhe dikush mund të kishte qenë pak më bujar", shtoi ish-sulmuesi i Barcelonës, duke iu referuar disa vendimeve të diskutueshme të gjyqtarit Sakani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›