"Topin e Artë? Ua dedikoj shokëve"
Të shtunën në mbrëmje ka pasqyruar sërish talentin e tij përballë Deportivo La Korunjës, me dy gola të shënuar në fitoren 3-1 të Barcelonës. Ndërsa të dielën në mëngjes i mahniti të gjithë për thjeshtësinë dhe xhentilesën jashtë fushës, në momentin e dorëzimit të trofeut "Topi i Artë". I tillë është Lionel Mesi: i frikshëm për mbrojtjet kundërshtare, një magjistar kur ka topin nëpër këmbë, por mbi të gjitha një djalosh i thjeshtë dhe modest. Në moshën 22-vjeçare, "El Enano" (xhuxhi) e mori trofeun nga Denis Çaumier, kryeredaktori i "France Football", në spektaklin "Telefoot" të televizionit TF1. Me gjithë moshën e vogël, ai numëron një numër të madh trofesh: dy herë fitues i Champions League (2006, 2009), një Superkupë Europiane (2009), tri tituj spanjollë (2005, 2006 e 2009), tri Superkupa të Spanjës (2005, 2006, 2009), një Kupë Mbreti (2009), një titull botëror me përfaqësuesen U-20 (2005) dhe një ar olimpik me Argjentinën në Pekin 2008. Të martën e kaluar, Leo Mesi u shndërrua në lojtarin e parë argjentinas që fiton "Topin e Artë", vlerësim që deri në vitin 1995 jepej vetëm për futbollistët europianë, duke ia mohuar këtë kënaqësi një legjende si Diego Armando Maradona. Sulmuesi i Barçës e tërhoqi çmimin me të njëjtën buzëqeshje të ndrojtur që e shoqëron jashtë fushave të lojës, por me sytë që i shndrinin si një fëmijë kur ndodhet përpara dhuratës së Vitit të Ri. Krenaria dhe gëzimi dallohej edhe në sytë e vëllezërve të tij, të cilët ishin të pranishëm në ceremoni përkrah presidentit "blaugrana", Joan Laporta. "Ky është një vlerësim për punën individuale dhe kolektive të Leos", tha drejtuesi i klubit katalan. "Jemi jashtëzakonisht krenarë që kemi një lojtar si Mesi në skuadër, për talentin e tij futbollistik, por edhe për vlerat njerëzore". I sikletosur prej faktit se e gjithë vëmendja ishte përqendruar tek ai, Mesi nuk i mbajti vetëm për vete meritat për trofeun. "Dua t‘ua dedikoj ‘Topin e Artë‘ shokëve të mi", deklaroi ai. "E ndaj këtë trofe me ta. Jam shumë i lumtur që bëhem argjentinasi i parë që e fitoj, por edhe lojtari i parë i Barcelonës, që është formuar në akademinë e klubit. Falënderoj familjen time, miqtë dhe mbi të gjithë vëllezërit e mi, që më janë gjendur gjithmonë pranë. Jam shumë i emocionuar, fitimi i ‘Topit të Artë‘ është shumë i rëndësishëm për mua. Ky është një çmim i veçantë". Mesi u paraqit në "La Masia", akademia e të rinjve të Barcelonës, kur ishte vetëm 13 vjeç, ndërsa vetëm tre vjet më pas talenti nga Rosario debutoi me gjigantët spanjollë. Në moshën 17-vjeçare ai shënoi në portën e Albacetes. "Kisha shansin që të luaja përkrah yjeve si Eto‘o, Ronaldinjo, Deko, Ksavi, Iniesta e shumë të tjerë. Ata më ndihmuan të rritesha në aspektin profesional dhe njerëzor. U jam mirënjohës për gjithçka më kanë dhënë". Por, vitet kanë kaluar, e tashmë është Mesi lojtari më i mirë në botë.