E Shtunë, 31 Tetor 2026

Euforia e Fullanit dhe realiteti shqiptar



Ekonomia shqiptare është një ekonomi plotësisht e hapur ndaj botës. Kjo për llogari të faktit se realizon lëvizje të lirë të të mirave dhe kapitaleve. Raporti për vitin 2007 midis shumës së eksport-importeve me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB ose GDP) së fundi ka arritur në 47.5% (Ex. 1.078 + Im. 3.978 mbi 10.6 (960 : 90.4) = 47.6%). Shkalla e hapjes së ekonomisë shqiptare me botën për llogari të eksport-importeve është 47.6%. Por nuk është vetëm ky tregues sepse edhe në ekonominë e mbyllur shqiptare para vitit 1990 kishim marrëdhënie ekonomike me 128 shtete. Ka tregues të tjerë që e bëjnë ekonominë shqiptare një ekonomi të vogël të hapur. Kështu kemi lëvizjen e lirë të kapitaleve, llogarinë kapitale që nuk ka ekzistuar para ‘90-ës. Llogaria financiare dhe kapitale ka pësuar rritje të dukshme në vitet e fundit. Në 2007-ën zinte 13.3% të PBB-së (1.141:10.6). Në këtë shkrim ne nuk do provojmë teorikisht se Shqipëria është një ekonomi e vogël e hapur dhe si e tillë Banka e Shqipërisë nuk mund të bëjë një politikë monetare të pavarur. Politikat e saj janë të varura nga politikat monetare të botës dhe BSH-ja është plotësisht e lidhur me Llogaritë e Bilancit të Pagesave. Në këtë aspekt, norma bazë e interesit që sot është 6.25 nuk mund të përcaktohet prej dëshirës së BSH-së, por është e varur nga norma e interesit të BQE-së (Bankës Qendrore Evropiane) dhe më tej.

Në çfarë mase janë të vërteta deklarimet e guvernatorit të BSH-së, zotit Fullani? Zoti Fullani flet me superlativa për sigurinë e sistemit financiar shqiptar, për banka të sigurta, për garanci të depozitave, se kriza financiare botërore do prekë fusha të tjera të ekonomisë dhe jo sistemin financiar etj., etj. E vërteta është se nuk ka vend për të folur me superlativa sikur ekonomia shqiptare po ecën në vaj dhe nuk ka asnjë problem me botën. Pse e themi këtë? Le t’i marrim me radhë disa nga problemet.

-Për garancinë e depozitave mund të themi se ASD (Agjencia e Sigurimit të Depozitave) siguron vetëm 3.5 milionë lekë të vjetra dhe 3.5 i siguron me 80%. Pra, për çdo lloj depozite mbi këtë shumë siguron vetëm 6.8 milionë lekë. Kështu, nëse një depozitues ka depozituar 100 milionë atij do t’i garantohen prej saj në rastin më të keq vetëm 6.8 milionë ose vetëm 6.8%. Në këtë aspekt nuk mund të flitet për garanci të plotë të tyre. SHBA-ja nga 100 mijë $ e çoi këtë garanci në 250 mijë $. Evropa nga 10 mijë euro në 25 mijë dhe ka vende të tjera që kanë hedhur mendimin që të sigurohen 100%. Edhe nëse marrim treguesin e kapitalit të bankave mbi depozitat apo mbi kreditë është i ulët. Në këtë aspekt depozituesi shqiptar është i pa garantuar 100%.

-Për sa i përket sigurisë së bankave mund të themi se nuk mund të bëjë deklarata Guvernatori. Nuk kemi dëgjuar ndonjë guvernator të ndonjë vendi tjetër të prononcohet për bankat tregtare apo të investimeve të nivelit të dytë aq më pak që duhet të ndodhë në Shqipëri kur ne i kemi të gjitha bankat e huaja banka bija dhe që më së shumti operojnë me euro e dollarë. BSH-ja ka pronë të saj paranë shqiptare, ka ekskluzivitetin e saj mbi lekun shqiptar, por jo mbi euron dhe dollarin. Kështu në këtë aspekt për normat e interesit të depozitave dhe të kredive në valutë BSH-ja nuk ka ndonjë ndikim mbi këto banka. Ndikim mbi to ka norma bazë e interesit të Bankës Qendrore Evropiane dhe normat e interesit të bankave mëma. BSH-ja licencon, auditon etj. këto banka, por nuk i komandon ato për llogari të interesave. Ndryshe qëndron problemi me lekun shqiptar, sepse ajo kontrollon normën bazë të interesit të lekut dhe duke kontrolluar atë në mënyrë indirekte, dikton normën e interesit të depozitave dhe normën e interesit të kredive.

-Tronditja në sistemin monetar do ketë pasoja edhe në ekonominë shqiptare. Pse? Sepse ekonomia jonë është e lidhur me të me njëqind fije me botën, pavarësisht se në Shqipëri nuk kemi tregje kapitalesh apo bursa. “Do prekë fusha të tjera”, - thotë Guvernatori si eksport-importet. Unë do thosha që nuk do prekë vetëm ato, por edhe një sërë treguesish të tjerë. Konkretisht. Do prekë import-eksportet që kanë të bëjnë me qarkullimin e valutës. Në këto kushte do bien eksportet dhe duke rënë ato do bjerë hyrja e valutës në Shqipëri duke përkeqësuar bilancin tregtar. Në krahun tjetër do përkeqësohet edhe bilanci i llogarisë korente, sepse do bien prurjet e valutës nga refugjatët shqiptarë. Shkurtimi i vendeve të punës dhe rritja e çmimeve dhe përgjithësisht kostoja e jetesës do prekë edhe refugjatët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. Do bjerë prurja e valutës prej turistëve sepse do bjerë numri i tyre. Po të shikojmë të dhënat e vitit 2007, kemi deficit tregtar 2.899 milionë dollarë, ndërsa deficiti i llogarisë korente është vetëm 1.151 milionë. Mendoni që eksportet të ulen dhe të rriten importet. Do kemi rritje të çmimeve të stimuluar prej kësaj llogarie. Rënia e prurjeve prej llogarive të shërbimeve, të ardhurave dhe transfertave do ketë të njëjtin efekt. Do prekë valutën dhe kjo nga ana e saj do ndikojë në zhvlerësimin e lekut shqiptar. Kjo do t’i bëjë presion BSH-së të aplikojë një politikë rrudhëse monetare. Pra BSH-ja është e lidhur me fenomenet ekonomike të botës direkt dhe indirekt pavarësisht se “prodhimet e helmuara” të bankave amerikane apo evropiane nuk kanë lidhje direkte me ekonominë shqiptare. Në botë vepron efekti i transmisionit dhe askush nuk e ndien veten të imunizuar prej këtyre fenomeneve me karakter global.

Thellimi i llogarisë korente do kërkojë rritjen e llogarisë kapitale. Po si do paraqitet ajo? Për vitin 2007 llogaria kapitale dhe financiare kanë qenë 1.141 milionë dollarë, pra ka mbuluar llogarinë korente me diferencë të vogël e cila është përballuar nga rezerva. Kjo llogari në vijim, nëse situata nuk ndryshon, do ketë probleme sepse investitorët e huaj do tërhiqen nga investimet në Shqipëri dhe BSH-ja do detyrohet në këtë rast të rrisë normën e interesit. Nëse nuk e arrin dot që të mbulojë me suficitin e llogarisë kapitale deficitin e llogarisë korente, atëherë në rastin më të keq BSH-ja do përdorë rezervat e saj të cilat nuk shkojnë më shumë se 4 muaj importe. Kështu, duke parë këto lidhje ,nuk mund ta quash sistemin monetar shqiptar të imunizuar nga ai botëror. Nuk mund të thuash se nuk do prekë bankën, por do prekë sektorë të tjerë të ekonomisë. Çfarë thamë më lart, janë të lidhura pikërisht me BSH-në sepse kemi të bëjmë direkt me valutën, me normat e interesit dhe me kurset e këmbimit. Prandaj BSH-ja duhet të flasë me këmbë në tokë dhe të mos na flasë për prodhime të helmuara e garancira të paqena.

Në përfundim, desha të shtoja se shqiptarët e kanë për hobi fryrjen e problemeve dhe kjo stimulohet ndonjëherë edhe prej vetë mediave. Në Shqipëri nuk është hera e parë që paniku provokohet prej vetë “analistëve” apo “ekspertëve” të mediave. Askush nuk u rrezikua dhe nuk kishin asnjë arsye të prononcoheshin në media, janë apo nuk janë të sigurta bankat apo depozitat. Asnjë bankë nuk është rrezikuar për aftësi likuiduese apo të kërcënohet nga kreditë në standard, në ndjekje apo të humbura. Kam parasysh rastin e të ashtuquajturës “krizë të çmimeve” dhe “krizë të ushqimeve”. U mblodhën ca “analistë ekspertë” dhe folën aq me pasion, sa thuaj nesër në mëngjes do plaste zija e bukës. Në fund as zijë nuk plasi dhe asgjë nuk ndodhi. Ushqime kishte me bollëk dhe ndodhi jo rritje, por rënie e çmimeve. Askush prej atyre që vunë alarmin, nuk po ndihet më. Ata i sollën një stepje morale publikut, por edhe stimuluan tregtarët që të nesërmen të rrisnin pa asnjë shkak çmimet, sepse pritej krizë e madhe ushqimesh, sikur ne të ishim në një situatë të nderë politike dhe të priteshin përleshje të armatosura. Në rastin që po trajtojmë, sinjalet duhen dhënë për ekonominë. Të stimulohet biznesi në legjislacion dhe në kreditim. Vetëm rritja e biznesit forcon “imunitetin” e ekonomisë dhe jo dëshira e njërit apo e tjetrit, gjithsesi, ekonomia shqiptare do jetë përjetësisht e varur nga ajo botërore.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›