Publicistikë; Për dikë e gjithkë
Brezi im nuk e njohu kohën e hekurt të Stalinit, por koka ama na u trullos, duke lexuar pafundësisht të 14 vëllimet në shqip të “veprave” të tij, sikurse historikun e lazdruar të asaj diktature të gjëmshme dhe të atij njeriu “idol” përmes botimeve ruse të përkthyera në shqip, posaçërisht më pas edhe nga libri “Me Stalinin” i Enver Hoxhës, një panegjerikë kjo që sot të neveritet me gjithçka përmban e të ofrohet
Publicistika, si një nga gjedhet interesante të letërsisë dhe jo vetëm të saj, pas viteve ’90 ka njohur një bum të vërtetë botimesh të gjithëfarta. Shkruhet shumë. Nga shumëkush e për shumëçka. Për dikë e për gjithkë. Dhe nga kjo shumësi shkrimesh, njerëzish, fushash, dukurish, përshfaqjesh, nga më të larmet e më vetanaket, doemos ka edhe shumë byk. Liria e të shkruarit dhe mundësitë e botimit, jo rrallë herë i kanë zhvlerësuar kriteret dhe mëtimet për cilësi dhe beletristikë. Më ka ngjarë (shpresoj s’jam i vetmi në këtë pyll botimesh) që, ende pa shtyrë 10-15 faqet e para, ta braktis sakaq librin, me një lodhje pas kokës dhe një ngulfatje ndjesish që nga mërzia dhe bezdia tek neveria dhe mëria. Por kur shkruan për dikë a diçka, sigurisht ke një shtysë. Dhe ti tundohesh të dialogosh me asociacionet që të ka përnxitur autori me talentin e vet. Dua, pra, të them që në krye të herës se libri “Një dritare në Kremlin – nga Hrushovi te Putini” i shkrimtarit, publicistit dhe politikanit të njohur Teodor Laço ma mbajti mendjen dhe kureshtjen mbërthyer faqe pas faqeje. Kureshtje vallë? Jo, s’besoj.
Brezi im nuk e njohu kohën e hekurt të Stalinit, por koka ama na u trullos duke lexuar pafundësisht të 14 vëllimet në shqip të “veprave” të tij, sikurse historikun e lazdruar të asaj diktature të gjëmshme dhe të atij njeriu “idol” përmes botimeve ruse të përkthyera në shqip, posaçërisht më pas edhe nga libri “Me Stalinin” i Enver Hoxhës, një panegjerikë kjo që sot të neverit me gjithë çka përmban e të ofrohet. Kohën e Hrushovit unë e preka në fëmijërinë dhe adoleshencën time. Madje, e mbaj mend fare mirë vizitën e tij në Sarandë, kur si tufë, na morën e na rreshtuan rrugës hyrëse të qytetit, nuk e di se sa orë, në pritje të Udhëheqësit të Madh të Bashkimit Sovjetik. U ndodha fare pranë tij. Sa u degustova me kokën e madhe prej qerosi, me barkun e fryrë që gati sa s’po i shpërthente pantallonat. Sepse si adoleshent, prisja një gjigant, një Ilia Muromec, më të gjatë e më të bukur se vetë Enver Hoxha. Duke e përqasur këtë përfytyrim timin të hershëm mbi Hrushovin, kam qeshur sinqerisht kur në librin e Teodorit lexova se edhe Merilin Monro, teksa Hrushovi nuk e lejoi që ta “përqafonte”, pat thënë fill më pas se “shpëtoi” nga detyra për ta puthur fytyrën e tij të shëmtuar si petull e prej bulldogu, me atë bark aq të madh dhe buzët aq të shpërvjelura.
Me mprehtësinë prej shkrimtari T. Laço nuk bën vetëm operacionin politik të periudhave gjegjëse nga Stalini te Putini. Kështu leximi do të rëndohej. Përkundrazi, përtej hullive politike dhe përvijimit të kohës si një e tërë me tiparet e saj thelbësore e dalluese, ai shfrytëzon mjaft bukur, dhe me elegancë, ndodhi e gjësende kureshtare, gjer edhe portretizime, anekdota, biseda, thënie të njohura, definicione nga njerëz të shquar të shekullit, sidomos nga politikanë me reputacion dhe ndikim të jashtëzakonshëm në rrugëtimin e historisë. Kjo qasje më duket nga më mbresëlënëset, një farë “lubrifikanti” që i bën të rrëshqasin më mirë burmat e rënda të informacionit ekonomik, politik, shoqëror e historik të librit, doktrinat dhe strategjitë. Aftësia e Laços për të ndërkallur në malin e madh të informacionit imazhe dhe hapësira të brishta, vezulluese, me plot befasime përbrenda, të kahes së letërsisë, sikurse edhe ndjesia për të ruajtur një drejtpeshim të mençur midis lëndës opake dhe të “mërzitshme” të parashtrimeve politike e sociologjike (rëndom edhe me një shpurë shifrash e krahasimesh) me ndodhi e të dhëna interesante, kanë bërë që kamera të hyjë në kthinat e errëta të kështjellës ruse, te Kremlini si simbol i pushtetit, i kurtheve, i krimeve, i komploteve, i anktheve, i reformave, i ndryshimeve, i transformimeve të pabesueshme. Jo vetëm Kremlini si metafora e imperializmit rus, por edhe sunduesit e tij janë vizatuar ndën një dritë thuajse impresioniste. Kjo duket në penelatat e hequra mbi portretet e Stalinit, Hrushovit, Brezhnjevit, Gorbaçovit, Jelcinit, Putinit dhe “gjeneralëve” të tyre të heshtur apo të zhurmshëm, rivalë dhe mëtues të fronit apo bashkëshoqërues të vullnetshëm dhe me ndihmesa të padiskutueshme në relievin politik që sendërtoi ky apo ai “Car”, nga dje gjer sot.
Periudhat e zhvillimeve politike dhe historike të Bashkimit Sovjetik, nga piramida e frikshme diktatoriale e Stalinit, meskiniteti i Malenkovit, dhelpëritë dhe kafshimet tinzare të Beries, dyzimet paradoksale të Molotovit, shpirti fshatarak, aventuresk dhe guximtar i Hrushovit me gjestin e tij historik të goditjes së kultit të Stalinit dhe demaskimit të krimeve duke krijuar një model tjetër zgjidhjeje ndaj rivalëve politikë (jo me pushkatime, por me ekskalime, shmangie, pensionime dhe izolime); më tutje Leonid Brezhnjevi dhe epoka e tij “as mish, as peshk”, shpirtmirësia e tij, por edhe tinzia, sensi i kompromisit por edhe “nxjerrja e dhëmbëve”, me harxhimin kolosal të burimeve njerëzore dhe ekonomike për garën absurde të armatimit; Gorbaçovi dhe “Pjerestrojka” e tij, një farë “Nepi” i kohës së Leninit, por i dështuar nga statusi gjysmak midis ekonomisë së centralizuar dhe implementimit të elementeve të tregut, sikundër merita e padiskutueshme e “Gllasnostit” për të çelur mendjet e atrofizuara, alternativat e mendimit, shanset e gjykimit të historisë (si një parapërgatitje e përballjes së shoqërisë sovjetike me zhvillimet tronditëse pas vitit 1990, shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe shpalljes së pluralizmit politik); Jelcini dhe koha e reformave radikale, bëmat e tij sa të guximshme si parandalimi i puçit ushtarak dhe hipja mbi tank, goditja e parlamentit me top etj, po aq edhe të mbushura me gafa politike, dehje dhe dyshime korruptive; Putini, njeriu i heshtur, i ardhur nga “CV-të e panjohura” sociale, lidhjet e tij misterioze me KGB, njeriu i akrobacive politike, vullnet hekurt dhe me aftësi të rralla administrative, i cili shfrytëzoi mjaft bukur burimet energjetike të vendit dhe e rimëkëmbi Rusinë duke i dhënë dinjitetin e nëpërkëmbur, madje duke jua freskuar kujtesën e humbur amerikanëve dhe evropianëve se “ariu rus” po zgjohej nga letargjia.
Veç kureshtjes që ky libër jep përmes informacionit të gjerë të vjelë në sajë të një serie librash si dhe shtypit të kohës, “Një dritare në Kremlin” spikat edhe për një veçori që më duhet ta theksoj enkas. Është fjala për përqasjet e vazhdueshme të realitetit historik rus dhe udhëheqësve që e dominuan jetën politike të këtij vendi me realitetin shqiptar, të marr cak pas caku, situatë pas situate, ndodhi pas ndodhie. Të përthyera dhe në paragoni me atë çka ndodhte në Kremlin dhe mbarë Bashkimin Sovjetik e Rusi, ne shikojmë edhe ato që ndodhnin njëherazi në Byronë Politike, pogromet dhe paranojat vrastare të Enver Hoxhës, filluar me gjyqin dhe pushkatimet e incidentit të bombës në Ambasadën Sovjetike, Konferencën e 20-të të Partisë në Tiranë, spastrimet në udhëheqjen e lartë, “kulakët” e tmerrshëm shqiptarë, mospranimin e heshtur të ndëshkimit të kultit të Stalinit, akrobacitë politike midis sovjetikëve dhe kinezëve, denoncimin e Traktatit të Varshavës, vetizolimin absurd, të frikshëm dhe vuajtjeplot me bunkerizimin e skajtë, grahmat e komunizmit në Shqipëri dhe kompilimet e Pjerestrojkës gorbaçoviane prej Ramiz Alisë me eksperimentet e tij të dështuara. Të habitin qasjet që bën autori me disa nga reformat radikale të transformimit të ekonomisë socialiste në Shqipëri në ekonomi kapitaliste sikurse qenë shitja e aseteve të mëdha industriale në klika oligarkish të besuara e pranë pushtetit me bjerrjen e qëllimtë të vlerës reale të tyre deri në çmime qesharake, reforma e tokës me ligjin 7501 që s’ishte veçse një kopje e reformës ruse duke i krijuar vendit një realitet ekonomik të deformuar, informalitet të rrezikshëm, mashtrime dhe mbivendosje hipotekore, ambiguitetet ligjore, kushtetuese dhe pronësore, që kanë krijuar një lëmsh të vërtetë, thuajse të pazgjidhshëm dhe me gjasa kriminale vështirë të tejkalueshme edhe për shumë vite paskëtaj.
Në penën e autorit gjithsesi vihet re një simpati e hapur për popullin rus dhe kulturën e tij, duke bërë fjalë shpesh për personalitete të jashtëzakonshme të artit, letërsisë, shkencës dhe kulturës ruse. Por toni që e zotëron librin, do të thosha, është ajo e një ballafaqimi, apo e një “dueli” qytetërimesh dhe doktrinash, apo e një paragonie midis vezullimit amerikan dhe evropian me përpëlitjen politike ruse për të gjetur një model sa perëndimor po aq edhe vetjak nacional rus. Menjëherë e kupton se sa larg dritës së qytetërimit evropian është Rusia, mendësia e saj; se sa vrull do ajo që të shkundet mbarë e prapë karakteri dhe arketipi rus me letargjinë (jo vetëm klimatike) të tij. Në këtë ballafaqim qytetërimesh, doktrinash, vetëdijesh, paradigmash politike, modele udhëheqësish, lexuesi fare lehtë është në gjendje të bëjë përqasjet e tij me realitetin shqiptar dhe liderët e tij, sidomos me atë të periudhës së diktaturës komuniste, por edhe me shtrembërimet dhe keqkuptimet që kanë ndodhur rëndom në periudhën e demokracisë së papjekur të pas viteve ’90. Libri, pra, është edhe një dritare për të shkuar atje ku duhet, sepse pikërisht falë këtij ballafaqimi lexuesi bëhet i vetëdijshëm për domosdonë e qytetërimit të mëtejshëm të shqiptarëve, për emancipimin e politikës sonë, pa ia kumtuar këtë gjë në forma naive e didaktike. Për kuptimin e disa të vërtetave, gati në formën e ligjeve absolute, autori na fton përmes logjikës krahasuese të kuptojmë qytetërimin evropian, ku ne rrekemi me gjithë shpirt që të integrohemi. Kësisoj mesazhi i librit është mbërritur nëpër udhë inteligjente, të tërthorta dhe të mençura. Në fund të këtij shkrimi, unë e shoh me vend të pohoj se libri i Teodor Laços s’është thjesht një “dritare” në Kremlin, por edhe një dritare në Tiranën politike. Dhe ky më ngjan se është edhe filli që e përveçon atë nga simotrat kësisoj, të cilat mund t’i hasësh dhe t’i gjesh gjithandej; madje, edhe në sajtet e internetit dhe online.