Shpirt i ri në një trup të vjetër
Ata zotërojnë magjinë për të ngjallur gjërat e “vdekura”. Për të krijuar objekte të një bukurie të rralë nga materiale të pavlera, që mbushin kazanët e plehrave. I japin jetë gjetheve të vdekura, objekteve të qelqta, gazetave të hedhura, shisheve plastike, gomave të përdorura të makinave… Janë studentët e vitit të dytë dhe të tretë të Akademisë së Arteve, në degën Tekstil dhe Modë, që përmes procesit të riciklimit krijojnë vepra të mirëfilla arti. “Riciklim” dhe “Flora”, janë dy ekspozitat e hapura në ambientet e Galerisë së Fakultetit të Arteve Pamore (FAP) në AA nga 18 studentë nën drejtimin e pedagogëve Najada Hamza, Ardian Kapo, Denis Koci e Genc Përmeti. Është puna e një viti të tërë, e realizuar në laboratorët e fakultetut, për t;u kurorëzuar në provimin e fundvitit. Një punë që gjeti admirues të shumtë, gjatë prezantimit të ekspozitës. Dhe jo më kot. Është e çuditshme të shohësh se si nga materiale të “varfra” krijohen objekte arti, deri tek veshjet klasike. Mësohet se për të mbërritur tek tema e riciklimit, studentët në Atelienë e Tekstilit dhe Modës, kanë përshkuar një rrugë të gjatë propozimesh, projektesh e procesesh. Pedagogia Najada Hamza thotë se faza fillestare e këtij procesi ishin ushtrimet e thjeshta me letër, me qëllimin e fokusimit të studentëve tek ndiesia ndaj materialit dhe ndërgjegjësimi për të, llojet e teksturat e tij, po ashtu përthithjen e mënyrës së ndërtmit, perceptimin e konceptimin e materialit në kontekste të reja. “Propozimi i temës “Riciklim” u bë në dy kontekste. Së pari, në atë profesional, si kontakti, trajtimi, punimi, përpunimi dhe përdorimi i materialeve me cilësi të ndryshme, ndonjëherë edhe të largëta, që nxisin imagjinatën, edukojnë ndiesinë e prekjes, etj. Së dyti, në kontekstin ideologjik. Riciklimi - riprocesimi i materialeve të reja në produkte të reja, në epokën tonë të superindustrializimit, konsumizmit dhe globalizmit është një nevojë. Prej këtej dhe sensibilizmi për riciklimin dhe alarmi për ripërdorimin e materialeve, jo vetëm në fushën e tekstil-modës, është një shqetësim themelor për botën ku jetojmë. Sepse riciklimi është një veprimtari e koncept bazë, është modaliteti më i përparuar në menaxhimin e hedhurinave, që jo thjesht i redukton ato, apo i ripërdor”, - thotë Hamza, teksa shpjegon konceptin e ekspozitës. Riciklimi e sjell sërish në jetë lëndën e flakur. Këtë bëjnë edhe studentët e degës së Tekstilit dhe Modës. Dile Gjinaj mbledh bishtajat e ca pemëve që gjenden me shumicë nga Kodrat e Liqenit. Nuk dëshiron të kthehen në humus, ndaj krijon një sixhade sa një faqe muri me bishtajat ngjyrë kafe, ndërsa ato të voglat i shkon në fije, duke formuar vargje të gjatë komunikimi. Por ajo sjell edhe histori personale. Në një nga anekset e ekspozitës të bie në sy një koleksion-herbarium. Janë lule e gjethe të thara, mbi të cilat ka data dhe ngjarje. Aty është 50-vjetori i nënës, dasma e Bardhës, një pritje para Ambasadës Italiane, një përvjetor ditëlindjeje, një konferencë studentore në Durrës, apo mendime të ngulitura në kokë në një ditë të ngrohtë maji. Suzana Gashi, duket e lodhur nga informacioni dhe ndikimi që mediat kanë mbi njeriun. Me faqe gazetash, ajo realizon manekinë, të cilët i kthen me kokë poshtë, si për të treguar tollovinë që sjell një informacion i pasaktë, apo i fryrë. Por edhe pasigurinë e njeriut në kohët moderne, që jo rrallë herë bën veprime kundër vullnetit të vet. Ngjajnë si gjarpërinj të mbledhur kutullaç. Të ofrojnë një ndiesi ftohtësie, edhe pse ngjyrat janë të forta. Me gomat e makinave, Sead Kazanxhiu krijon skulptura dekorative parku, shumëngjyrëshe. Motivet e përdorura mbi “lulet” e gomave të sjellin ndër mend gjarpërinjtë. Janë aty të gjitha llojet, që nga pitonët, boat, gjarpërinjtë me zile, nepërkat. Sipas tij, e përbashkëta mes gjarpërinjve dhe gomave është kontakti me tokën. Besmira Lame ka vendosur që tatuazhet t’i bëjë edhe më të qëndrueshme. Ka vendosur t’i gdhendë në kockë dhe jo në lëkurë. Punët e Blerina Llallës të kujtojnë punimet me grep, shumë në modë vite më parë. Por nuk bëhet fjalë për fije tekstile, por për telat e bakërrt të Shkodrës. Ajo krijon bluza, kapele, madje dhe rroba banje me një mjeshtëri të rrallë. Aq shumë feminilitet me një material aq të fortë si telat e Shkodrës. Artemis Çullhaj nuk lë as një katror letre, të mbetur në shtypshkronjë të shkojë dëm. Ajo i ngjit një për një për të krijuar motive floreale, por dhe pamje gjigante të qendrës së Tiranës, ku mund të shquash, kompleksin e ministrive, bulevardin, madje dhe semaforët e varur. Arba Fregja të fut në një botë këpucësh magjike. Këpucë “teatrale” të ribëra nga e para, me lule, fjongo, fruta, kapele e syze shumëngjyrëshe. Guina Sengla krijon fustanë me xhama, Duhie Sina me shkumë deti ndërton shtëpinë e kukullave, me bidonë uji, Florian Doka krijon një kazan të madh hedhurinash, etj, etj…Për pedagogen Hamza, i rëndësishëm ka qenë procesi, klasa, laboratori i hapur për të gjitha tendencat, kundërshtimet dhe qëndrimet. Dhe nuk ka qenë e thjeshtë. Gjatë rrugës studentë e pedagogë janë ndeshur me shumë përse, që lidhen me origjinën e materialit, rrugën që ka përshkuar dhe dilema, nëse gjatë procesit të riciklimit, kjo origjinë duhej ruajtur, apo duhej mohuar. Si përfundim, dhjetëra histori personale u ngritën mbi historitë e këtyre materialeve të konsideruara të pavlera. Pedagogia Hamza e krahason me filozofinë e rimishërimit në Lindjen e Largme, ku një shpirt i “vjetër” hyn një lëndë të re dhe një shpirt i ri një një lëndë të vjetër. Në katin e dytë është “mbretëria” e Florës, perëndeshës romake të luleve e kopshteve. Të frymëzuar nga lulja, nga kjo gjallëri jetësore, studentet Gugushka Islami, Blerta Kristani, Desareta Kalluci, Milena Kurti, Jonida Kanto e Ledia Kruja kanë krijuar veprat e tyre. Nga njerë anë lulet konsiderohen si forma të përkryera vizualisht dhe strukturalisht, ndërsa nga ana tjetër, ato kanë përmasa simbolike. E shoqërojnë njeriun në momente të rëndësishme të jetës, në lindje, në martesë e në vdekje. Shumëkuptimësia, por edhe shumë përdorimi në produkte nga më të ndryshme në kohët moderne, që nga mobiljet, tekstilet, veglat muziore, deri tek qymyri, nafta, ilaçet e droga, u kanë dhenë dorë studentëve për interpretime nga më të larmishmet.