E Shtunë, 31 Tetor 2026

Euro 2012 edhe ne Kine

Futbolli në rend të ditës, ethe të Euro 2012-ës dhe kënaqësi para ekraneve dhe duke biseduar në krah të miqve e shokëve. Mos u gaboni, nuk jemi as në Poloni dhe as në Ukrainë, madej nuk bëhet fjalë për Gjermaninë, Spanjën apo Italinë. Jemi në Kinë, në Pekin, ku pavarësisht nga distancat prej 6 500 deri në 7 000 kilometra, epidemia e kampionatit europian ka mbërritur pa çuditur askënd.
Pavarësisht se oraret për të parë ndeshjet në Kinë nuk janë ndër më të mirët, sërish kjo nuk ka penguar me mijëra e mijëra njerëz që të shtyjnë kohën e gjumit për të përjetuar magjinë e futbollit.
Ndeshjet e orës 18:00 të Polonisë, në Pekin shihen në 12 të natës, ndërsa ndeshjet e orës 20:45, i bëjnë njerëzit të rrinë zgjuar deri në 5 të mëngjesit.
Pa problem, kinezët dinë ta bëjnë edhe këtë.
Për bizneset kjo është një kohë e lumtur, asgjë nuk prishin netët pa gjumë. Kjo sepse shitja e birrës është dyfishuar me të nisur Euro 2012.
Një tifoz kinez thotë me gëzim se “futbolli nuk mund të kuptohet pa birrat”.
Edhe shitjet online kanë kërcyer fuqishëm. Vetëm klikimet në internet për togfjalëshin “Kampionati Europian” janë rritur me 600 për qind, ndërsa shitjet e produkteve të lidhur me të janë duke njohur 300 për qind shtim.
Por, fat të mirë kanë pasur dhe kanë edhe kafeja dhe pijet freskuese pasi njerëzit duan që të mundin gjumin dhe lodhjen në orët e vonshme të natës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›