Euro e shtrenjte

Vlera mesatare e një euroje po arrin në 140 lekë, duke treguar qartë fortësinë e kësaj monedhe ndaj lekut. Kursi mesatar i së mërkurës e vlerësoi euron më 139 lekë e 70 qindarka, vlerë kjo e rritur me 22 qindarka nga e marta. Euro është rritur që prej tre javësh gradualisht pavarësisht pritshmërive për hyrje të euros në vend.
Në mesin e muajit korrik, vlera mesatare monedhës së përbashkët, sipas kursit të Bankës së Shqipërisë ishte 138 lekë e 80 qindarka. Duket se liberalizimi i vizave, tendenca e shqiptarëve për të pushuar jashtë dhe mos ardhja e emigrantëve si vitet e shkuara kanë shkaktuar ndryshim të kërkesë ofertës në tregun e këmbimit të monedhave.Muaji gusht mund të mbajë këtë tendencë për euron dhe lekun, pasi shumë shqiptarë pritet të udhëtojnë jashtë vendit, ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme e pushuesve maqedonas dhe kosovarë do të kthehen në shtëpitë e tyre. Qëndrimi i detyruar në shtëpi nga muaji i Ramazanit ka sjellë boshatisjen e shumë plazheve në bregdetin shqiptar. Ndërkohë, kërkesa e ulët në vend ka sjellë zhvlerësim të dollarit amerikan. 97 lekë e 56 qindarka ishte kursi mesatar gjatë së mërkurës.
Flori Papadhimitri