E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto Shqiperia dhe India rritje te bashkepunimit ekonomik-tregtar

Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, priti sot në një takim Ambasadorin e Republikës së Indisë në vendin tonë, me rezidencë në Bukuresht, Debashish Chakravarti.

Sipas zyrës së shtypit të MPJ-së, ministri Haxhinasto pasi vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, nënvizoi nevojën për ngritjen e dialogut politik.

Duke folur për bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve, ai theksoi nevojën për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta ekonomiko-tregtare, të cilat i shërbejnë më shumë njohjes së fushave me interes të ndërsjellë bashkëpunimi.
Nga ana e tij, Ambasadori Chakravarti u ndal në mundësitë që ekzistojnë për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, sidomos në fusha si ekonomia, arsimi, teknologjia e lartë, etj.

Ai shprehu vlerësimet e Qeverisë Indiane për hapjen e Ambasadës së Shqipërisë në Nju Delhi, e cila u konsiderua prej tij, si një hap kontribues i drejtpërdrejtë për ngritjen e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Nga ana e tij ministri Haxhinasto kërkoi përfundimin e marrëveshjeve në fushën konsullore, për liberalizimin e lëvizjes midis dy vendeve.
Haxhinasto, duke iu referuar vendimit të GJND-së për pavarësinë e Kosovës, i kërkoi Ambasadorit Chakravarti që vendi i tij të shikojë mundësinë e njohjes së këtij shteti të ri, si një kontribut i drejtpërdrejtë i Indisë për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit. Ai kërkoi nga pala indiane që të mbështesë Republikën e Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare, veçanërisht ato financiare.

Palët gjithashtu, ranë dakord për forcimin e bashkëpunimit Shqipëri-Indi në organizatat ndërkombëtare si OKB-ja, dhe shkëmbyen pikëpamjet e tyre për reformimin e kësaj organizate.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›