Euro fluturon në 132.4 lekë
Monedha e përbashkët europiane, euro, shënoi dje kuotën më të lartë që nga 10 qershori i shkuar kundrejt lekut, pas afro dy javësh forcimi gradual dhe të qëndrueshëm. Gjatë ditës së djeshme, leku humbi 0.47 për qind të vlerës, humbje që konsiderohet si e madhe brenda një dite të vetme. Ekspertët e bankave të ndryshme e prisnin një ecuri të tillë negative për lekun gjatë kësaj jave, por gjithashtu kanë paralajmëruar për mundësinë e shfaqjes së fenomenit të "mbledhjes së fitimeve". Ndodh që operatorë të ndryshëm në treg të grumbullojnë valutë për disa ditë dhe pastaj të ndryshojnë drejtim duke e shitur të gjithë sasinë papritur. Një fenomen i tillë ka shkaktuar më herët forcim të lekut deri në mbi 1 për qind brenda ditës. Bankat thonë se nuk kanë ndier ndonjë fluks në rritje të ofertës sezonale për euro gjatë kësaj vere. Si pasojë e sezonit turistik dhe kthimit të emigrantëve për pushime, leku është forcuar zakonisht gjatë verës, por këtë vit kjo nuk ndodhi. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, dha një shpjegim tjetër. Sipas tij, gjatë këtij viti operatorët në treg po balancojnë kërkesë-ofertën e vet valutore përgjatë të gjithë vitit, duke shmangur luhatjet e papritura në kursin e këmbimit, gjë që duket se po i jep fund edhe luhatjeve sezonale.