E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: Kërkesa e qeverisë, e papërballueshme

Banka e Shqipërisë vendosi dje të mbajë një qëndrim të dyfishtë, duke treguar nga njëra anë optimizëm të kujdesshëm përballë publikut dhe duke paralajmëruar nga ana tjetër qeverinë për rrezikun e destabilitetit makroekonomik të vendit si pasojë e "politikës fiskale ekspansioniste". Këshilli mbikëqyrës i BSH-së u mblodh dje për të diskutuar se çfarë duhej të bënte me normën bazë të interesit në ekonomi dhe vendosi ta mbajë atë të pandryshuar. Një nga shkaqet e mosuljes së normës bazë të interesit, gjë që mund të lehtësojë këstet e kredive në lekë të dhjetëra mijëra familjeve shqiptare, ishte edhe sjellja e paqartë dhe jokorrekte e qeverisë. Sipas BSH-së, në rast se qeveria mban një pozicion të qartë fiskal, atëherë edhe ajo mund t‘i ulë interesat.

Fajet e qeverisë

Pas mbledhjes, guvernatori Ardian Fullani mes të tjerave tha: Qeveria ka konkurruar qytetarët në tregun e huamarrjes; vijimi i stimulit fiskal të qeverisë në këto nivele është "i papërballueshëm" dhe se sektori publik ka qenë përgjegjës për rritjen e ofertës monetare.

Mes rreshtave, BSH-ja akuzoi qeverinë se me oreksin e vet për të shpenzuar para gjatë pjesës së parë të këtij viti, ka shkaktuar probleme në të gjitha drejtimet, në një deklaratë që në tërësi anonte nga optimizmi mbi fillimin e rigjallërimit të ekonomisë botërore dhe për pasojë, edhe asaj shqiptare.

"Treguesi i tendencës ekonomike regjistron një prirje të lehtë rritëse gjatë kësaj periudhe, pas rënies së theksuar në tremujorin e parë", deklaroi Fullani pas mbledhjes, duke cituar rritjen e besimit të biznesit dhe lehtësimit të tregut të kredidhënies nga bankat. Të dy këta tregues, sipas BSH-së, ndonëse kanë njohur rritje gjatë tremujorit të dytë në krahasim me tremujorin e parë, janë "në nivele të ulëta historike dhe poshtë mesatares së tyre afatgjatë".

Rreziku i shpenzimeve buxhetore

Sipas BSH-së, shpenzimet e qeverisë qenë pjesërisht fajtore për prodhimin e inflacionit prej 2.2 për qind këtë vit, pasi kanë kompensuar rënien e çmimeve të regjistruar në tregjet ndërkombëtare. Ndonëse shprehet me optimizëm për ecurinë e inflacionit në muajt e ardhshëm, BSH-ja paralajmëroi: "Përkeqësimi i bilancit të pagesave, nënçmimi i kursit të këmbimit dhe vijueshmëria e politikave fiskale ekspansioniste do të përbënin rreziqe në kahun rritës të inflacionit". BSH-ja shtoi gjithashtu se një qëndrim korrekt nga qeveria dhe angazhimi i saj për të respektuar nevojën për stabilitet makroekonomik, është një ilaç i vlefshëm kundër frikës.

"Banka e Shqipërisë gjykon se qartësimi i pozicionit të ardhshëm fiskal dhe i impaktit të tij mbi bilancin e pagesave do të krijonte hapësira për ndjekjen e një politike monetare më liberale", deklaroi dje Fullani.

Konteksti

Qeveria shqiptare krijoi një deficit buxhetor prej rreth 40 miliardë lekësh. Kjo nuk është një shifër e jashtëzakonshme në një situatë normale, por në këtë kohë është shifër tepër e madhe, që ka ndikuar në rrezikimin e stabilitetit makroekonomik. Shqiptarët nuk i kanë rritur depozitat e tyre në banka gjatë vitit të fundit dhe në mungesë të depozitave, qeveria nuk ka pasur mundësi të kërkojë borxh publik. Për këtë arsye, është detyruar t‘i kërkojë para Bankës së Shqipërisë. Gjatë periudhës janar-maj të këtij viti, BSH-ja u detyrua të blejë rreth 47 për qind të bonove të thesarit të emetuara. Praktikisht qeveria po i drejtohet gjithnjë e më shumë Bankës së Shqipërisë për të gjetur para. Vetë Fullani e mohoi një fakt të tillë dje. I pyetur nga "Shqip", Fullani tha se "llogaria e qeverisë në Bankën e Shqipërisë është pozitive", ndërsa i pyetur për përgjegjësinë e qeverisë në zhvlerësimin e lekut, Fullani tha: "Leku u nënçmua për shkak të krizës ndërkombëtare".

Sipas ekspertëve të pavarur, situata duket stabël për momentin, por rreziqet janë të shumta. Në muajt e ardhshëm, mosshkurtimi i shpenzimeve të programuara nga qeveria mund të sjellë probleme me pasoja zinxhir, ndërsa shpresa më e madhe është që qytetarët do t‘u rikthehen bankave për të depozituar paratë e veta. Në këto kushte, BSH-ja nuk i lejon dot vetes pesimizëm, ndërsa përpiqet të bindë me dëshpërim qeverinë të kuptojë realitetin, duke lexuar mes rreshtave të deklaratave të saj. Vetë qeveria e ka interpretuar situatën si një komplot politik, duke akuzuar median dhe opozitën politike si shpikës të rreziqeve në ekonomi. Dje, Kryeministri Berisha dha një premtim paraprak se "do të respektojë deficitin". Se sa do ta mbajë këtë premtim, mbetet për t‘u parë.

Stabiliteti

BSH-qeveri, debat në distancë

Qeveria shqiptare dhe Banka e Shqipërisë debatuan dje në distancë mbi stabilitetin makroekonomik, ku Kryeministri Sali Berisha premtoi të respektojë limitet e deficitit buxhetor, ndërsa BSH-ja paralajmëroi se politika ekspansioniste fiskale po bëhet e papërballueshme. Këshilli mbikëqyrës i BSH-së u mblodh dje për të analizuar situatën makroekonomike të vendit. Gazetarët prisnin dje një deklaratë të ashpër nga BSH-ja dhe televizionet programuan mbulim direkt të konferencës së guvernatorit Fullani. Në konferencë, Fullani i kërkoi qeverisë të respektojë deficitin buxhetor dhe paralajmëroi rreziqet që vijnë nga vijimi i shpenzimeve të ekzagjeruara të qeverisë. Vetëm një orë para deklaratës së BSH-së, Kryeministri Sali Berisha i dha praktikisht përgjigje kërkesave që Fullani shtroi një orë më pas. Mes një mali me fjalë, akuza për opozitën dhe analizash ndërkombëtare, Berisha premtoi së paku se do të rishikojë buxhetin dhe do të punojë për të mos e tejkaluar deficitin.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›