E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria rishikon buxhetin dhe rritjen ekonomike

Për të tretën herë brenda vitit, qeveria rishikon parashikimin e rritjes ekonomike të 2009-s. Gazeta zbulon përplasjen e radhës mes Kryeministrit dhe Ministrisë së Financave, rreth rezultatit të Prodhimit të Brendshëm Bruto, i cili nga 4.8 për qind u vendos të jetë 5.8 për qind. Rishikimi i PBB-së ndryshon skenarin e parametrave buxhetorë për tre vitet e ardhshme, por më së shumti i jep mundësi qeverisë që të zbusë raportin e deficitit buxhetor, i cili aktualisht po kapërcen kufirin e lejuar. Një tjetër ndryshim rrënjësor në buxhetin e këtij viti ka të bëjë me privatizimet, të cilat do të përfshihen të trupëzuara për investimet publike. E gjithë manovra për ndryshimin e rritjes ekonomike, miratuar dje në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit Strategjik, ka për qëllimin fshehjen e deficitit real buxhetor. Një tjetër merak i Kryeministrit Sali Berisha është rritja ekonomike e vitit 2008, që sipas tij është më e madhe sesa shifra zyrtare. Zhvillimet e djeshme u ndërmorën gjatë miratimit të kuadrit të treguesve makroekonomikë e fiskal të rishikuar për periudhën 2010-2012, si edhe rishqyrtimin e buxhetit të këtij viti.

Rishikimi i borxhit

Kreu i qeverisë pranon rënien e të ardhurave, që sipas tij kanë ardhur si pasojë e reduktimit të çmimeve nga kriza ekonomike. Nisur nga situata e krijuar prej tatimeve dhe doganave, u ra dakord të ndryshojë skema e përdorimit të të ardhurave nga privatizimet. Për Kryeministrin, Shqipëria nuk është prekur nga kriza, sikurse ndodhi me vendet e rajonit e gjetkë. Ndryshimi i parametrave buxhetorë, i treti për këtë vit, justifikon qeverinë për rritjen e borxhit. Tashmë me rritjen e re ekonomike 5.8 për qind, deficiti buxhetor mbetet brenda parametrave të miratuar, 4.2 për qind dhe lejon rritjen e shpenzimeve përtej planit. "Ne kemi një zotim, që deficiti buxhetor të mos kalojë mbi 4.2 për qind dhe jemi të vetmit që po e mbajmë", deklaroi dje Berisha. Në fakt, këtë zotim Kryeministri po e mban, por duke ndryshuar PBB-në, pa të cilën 4.2 përqindëshi do të ishte në fund të vitit mbi 5 për qind.

Viti elektoral

Debati për rritjen ekonomike merr zhvillim aq herë sa Kryeministri shpreh vullnetin për ta pasur më të lartë, se sa është në të vërtetë. Duke u ndalur edhe një herë te rritja e 2008-s, Berisha u shpreh se "rritja ekonomike e vitit 2008 është më e madhe se sa ajo që ishte parashikuar. Rritja ekonomike është 8 për qind dhe në këtë kontekst një rillogaritje e parametrave është e domosdoshme". Në mbledhjen e djeshme të Komitetit të Planifikimit Strategjik, kreu i saj gjeti rastin të reagonte rreth kritikave për shpenzime elektorale, duke i cilësuar si "mashtruese, pasi investime të larta deri me 10 për qind të PBB-së ka pasur edhe në 2008-n, që ishte vit normal pa zgjedhje".

Arkëtimet

Duke folur për zhvillimet në vend, Berisha tha se jemi i vetmi vend në Europë dhe botë që bëmë rritjen më të madhe të rrogave në këtë vit krize. Duke qenë se FMN-ja ishte kundër rritjes së pagave në një situatë kur ka rënie të ardhurash, Berisha theksoi se "u bihej sirenave për të mos rritur rrogat, por ne rrogat i rritëm". Kryeministri pranoi rënien e të ardhurave, por jo për faj të keqadministrimit. Duke përmendur uljen e çmimit të naftës, grurit, hekurit etj., në tregjet e huaja, Kryeministri u shpreh se "këto bënë që me planin doganat të lënë një boshllëk prej 65 milionë dollarësh".

Plani

Pas tre vitesh

borxhi ulet 3%

Pas tre vitesh, që përkon më 2012-ën, qeveria parashikon që deficitin buxhetor ta ulë në 3 për qind. Tashmë me rishikimin e kuadrit të të ardhurave dhe shpenzimeve për tre vitet e ardhshme, si edhe me ndryshimet në skemën e privatizimeve, Kryeministri është zotuar dje se do ta reduktojë në masë borxhin, si kusht i vendosur edhe nga BE-ja. "Ne synojmë që vitin e ardhshëm të ulim deficitin buxhetor dhe borxhin dhe deri në vitin 2012 ne të kemi një deficit buxhetor rreth 3 për qind", tha Berisha. Në formë përgjigjeje ndaj qëndrimeve të Bankës së Shqipërisë, kreu i qeverisë garantoi qytetarët se, "ruajtja e parametrave makroekonomikë, e stabilitetit makroekonomik, është qëllimi më parësor i kësaj qeverie dhe do ta realizojmë këtë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›