E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti i Durrësit shkon në Peshkopi

Universiteti "Aleksandër Moisiu" në Durrës do të zhvendoset duke u zgjeruar në veri të Shqipërisë, e pikërisht në qytetin e Peshkopisë.

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e djeshme vendimin për hapjen në qytetin e Peshkopisë të filialeve dhe programeve të studimeve të Fakulteteve të Ekonomisë, të Administrimit, të Edukimit dhe të shkollës së lartë profesionale të Universitetit "Aleksandër Moisiu" në Durrës.

Kryeministri u shpreh se ky vendim përbën një zhvillim jashtëzakonisht të rëndësishëm për jetën universitare të vendit, në mënyrë të veçantë për të rinjtë e zonave përreth. "Ky universitet është një ndihmë e madhe për këtë zonë. Të rinjtë e gjimnazeve të Peshkopisë, Bulqizës, Matit, por edhe të gjithë Shqipërisë, do të kenë mundësinë të ndjekin studimet e larta në degë të Universitetit të Durrësit në Peshkopi".

Filiali i Fakultetit të Edukimit do të ofrojë programet e studimit të ciklit të parë në: "Matematikë-Fizikë", "Matematikë-Informatikë", "Informatikë-Anglisht", "Gjuhë-Letërsi-Anglisht", "Biologji-Kimi", "Psikologji-Sociologji", "Procese formimi".

Nga ana tjetër, Kryeministri tha se do të ishte me vlerë hapja e degëve të Universitetit Bujqësor në këtë zonë, apo edhe të një shkolle të mesme bujqësore, në mënyrë që të rritet gjithnjë e më shumë kualifikimi i fermerëve shqiptarë.

Një vendim i tillë arsimor duket se nuk ka mundur që t‘i qëndrojë larg politizimit të çështjes. Kjo për faktin se çelja e këtyre degëve të studimit në qytetin verior është lidhur jo vetëm me zhvillimin e saj, por edhe më gjerë, me atë rajonal.

Kryeministri u shpreh se investimet e bëra në qytetin e Peshkopisë e kanë shndërruar atë nga një rajon i mbyllur, në një nga rajonet më të hapura të vendit. "Peshkopia, me ndërtimin e rrugës së Arbrit dhe rrugës që lidh Peshkopinë me Kukësin, krijon hapësira shumë të mëdha për tregun. Tirana arrihet në një periudhë kohore rreth 1 orë. Prishtina arrihet edhe ajo në një kohë të shkurtër, po kështu edhe Shkupi. Pra, nga një rajon i mbyllur, shndërrohet në një nga rajonet më të hapura të vendit", theksoi kreu i Ekzekutivit gjatë prezantimit të këtij vendimi të miratuar nga qeveria që drejton.

Aktualisht, vetëm Universiteti i Tiranës ka hapur filialet e tij në qytetet e Kukësit, si dhe atë të Sarandës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›