Politekniku dhe "Aleksandër Xhuvani" plotësojnë sistemin e Bolonjës
Po dje në mbledhjen e qeverisë u miratua edhe hapja në Fakultetin e Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike të Universitetit Politeknik të Tiranës, të programeve të studimit të ciklit të dytë, "Inxhinieri matematike" dhe "Inxhinieri fizike". Në përfundim të këtyre programeve të studimit lëshohet përkatësisht diplomë e nivelit të dytë, DND, në "Inxhinieri matematike" dhe "Inxhinieri fizike". Këto programe studimi realizohen me 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është dy vite akademike. Gjithashtu, në mbledhjen e djeshme u vendos edhe hapja në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të universitetit "Aleksandër Xhuvani", Elbasan, të programit të studimit, të ciklit të dytë, "Matematikë e zbatuar". Edhe ky program realizohet me 120 kredite me një kohëzgjatje dyvjeçare. Këto programe studimi propozohen nga vetë institucionet e arsimit të lartë publik në vend pranë Ministrisë së Arsimit. Pas miratimit në strukturat e MASH-it, këto programe i drejtohen për aprovim përfundimtar mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Pas këtyre vendimeve plotësohet struktura arsimore që ofrojnë këto universitete në përputhje me sistemin e ri të Kartës së Bolonjës, që aplikohet që prej tri vitesh në vendin tonë.