E Shtunë, 31 Tetor 2026

Euro, në pikën më të ulët nga viti 2001

Tregjet financiare botërore kanë pësuar një tronditje të madhe dje të kushtëzuar nga frika e mungesës së stabilitetit të eurozonës dhe të monedhës së përbashkët. Kryesisht rënia është vënë re në tregjet evropiane dhe ato amerikano-veriore, por nuk kanë mbetur pa u prekur edhe tregjet aziatike që prekën nivelin më të ulët gjatë këtyre 8 muajve të fundit. Për sa i përket Azisë, problemi ka qenë edhe ai i një konflikti të mundshëm mes të dy Koreve, për shkak të gjendjes së acaruar së fundi.

Gjithsesi, shqetësimi kryesor është ai në lidhje me eurozonën dhe deficitet e mëdha buxhetore të shumë vendeve që e përbëjnë këtë zonë. Shqetësues ka qenë edhe paralajmërimi që Fondi Monetar i bëri të hënën Spanjës për të ndërmarrë masa urgjente për reformimin e ekonomisë dhe ndërmarrjen e një reforme sa më të shpejtë.

E ndërkohë, banka të mëdha spanjolle kanë deklaruar se do të realizojnë një shkrirje mes tyre nga frika e falimentimit. Plani është që 4 bankat e kursimeve të formojnë me kapitalet e tyre në një grup më të madh financiar të aftë për të dalë nga situata e krizës dhe për të menaxhuar më mirë situatën. Sipas analistëve financiarë, blerjet e aksioneve janë ulur ndjeshëm ditët e fundit sidomos në Azi, ku situata është trazuar për shkak të tensionit mes dy Koreve.

Dobësia e vazhdueshme e euros është një shqetësim shumë i madh dhe një pjesë e madhe e investitorëve e kanë braktisur monedhën nga frika se situata e rënduar e borxheve buxhetore do të jetë fatale për monedhën. Edhe gjatë ditës së djeshme pozicioni i euros ndaj dollarit nuk ka qenë i mirë. Dje, komisari i Bashkimit Europian për Ekonomi, Oli Rehn, paralajmëroi qeveritë e vendeve të BE-së dhe veçanërisht ato të vendeve të eurozonës që të bëjnë reforma sa më të shpejta dhe të thella për të shtuar rritjen ekonomike, që ndodhet në nivele që lënë për të dëshiruar. “Rreziku më i madh është që sapo vendet që kanë pasur probleme nisin të marrin veten, harrojnë kryerjen e reformave, mungesa e të cilave shkakton edhe krizat më të mëdha financiare si ajo që po kalojnë tani disa nga vendet e eurozonës. Kjo do të na çojë drejt një periudhe me ritme të ngadalta ekonomike, apo edhe drejt humbjeve të mëdha”, ka deklaruar Rehn në Forumin Ekonomik të Brukselit.

Sipas Rehn, reformat duhet që të jenë të ndryshme për vende të ndryshme evropiane, por ndërkohë të gjitha vendet duhet që të hapin tregjet e tyre. Vende të tilla si Greqia që ndodhen në qendër të panikut të madh për ekonominë e eurozonës i kanë injoruar që prej një kohe të gjatë të gjitha thirrje e Bashkimit Evropian për liberalizimin e tregut. Një tjetër vend që ka ndjekur këtë politikë është edhe Italia, e cila do të njoftojë masa të rrepta të shkurtimeve të shpenzimeve shumë shpejt. Për euron ky është momenti më i keq që po kalon që nga vitit 2001.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›