E Shtunë, 31 Tetor 2026

Euro, për herë të parë pas tre muajsh, nën 130 lekë

Monedha shqiptare vijoi të forcohet gjatë javës së dytë radhazi, duke rritur shpresat te kredimarrësit dhe importuesit, bëjnë të ditur të dhënat e Bankës së Shqipërisë. Leku fitoi 51 qindarka kundrejt euros, ndërsa qëndroi e pandryshuar kundrejt dollarit. Për herë të parë që nga 17 prilli, euro u kuotua nën 130 lekë, sipas statistikave të BSH-së. Që kur arriti rekordin negativ prej 133 lekësh në fillim të qershorit, euro ka humbur 2.3 për qind. Megjithatë, euro kuotohet ende 5.2 për qind më shtrenjtë se në fillim të janarit dhe 6.5 për qind më shtrenjtë sesa mesatarja e vitit të kaluar.

Mbulimi i shpenzimeve buxhetore me kredi të huaj, si dhe rënia sezonale e importeve, e shkaktuar nga prodhimi bujqësor vendas, vlerësohet se janë dy faktorët kryesorë që sollën forcimin e lekut. Qeveria shqiptare tërhoqi një kredi prej 250 milionë eurosh me interesa jashtëzakonisht të larta në muajin maj, për të mbuluar shpenzimet e rrugës Rrëshen-Kalimash, një projekt i cilësuar nga FMN-ja si "me intensitet të lartë importesh". Kjo gjë kufizoi huamarrjen e brendshme të qeverisë gjatë qershorit. Prodhimi bujqësor i verës ka sjellë historikisht rënie sezonale të importit të ushqimeve në Shqipëri, gjë që ka ndikuar gjithashtu në forcimin e lekut. Efektet sezonale kanë sjellë gjatë viteve të fundit rënie të vlerës së euros në treg deri me pesë lekë. Aktualisht euro ka humbur 3 lekë gjatë dy javëve të fundit.

Leku shqiptar pësoi zhvlerësimin më të shpejtë në gati një dekadë në shkurt të këtij viti, gjë që solli shtrenjtim të kredive ekzistuese që qytetarët kanë marrë në valutë të huaj. Zhvlerësimi i lekut u "mirëprit" nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave. BSH-ja beson se një lek i dobët do të sjellë rënie të importeve dhe zbutje të deficitit të llogarisë korrente të vendit. Ministria e Financave përfiton të ardhura më të mëdha nga taksat mbi mallrat e importuara në rast se leku është i dobët. Qytetarët e paguajnë zakonisht zhvlerësimin e lekut përmes rritjes së çmimeve. Inflacioni konsiderohet nga ekspertët si një lloj takse për të cilën nuk është e nevojshme miratimi i një ligji në Parlament dhe që e takson të gjithë popullatën njësoj, pa dallim nëse janë të pasur apo të varfër. Inflacioni në Shqipëri gjatë muajve të parë të këtij viti ka qëndruar në rreth 2 për qind në bazë vjetore. Por duke marrë parasysh se vitin e kaluar në të njëjtën periudhë po vuanim një krizë çmimesh të larta, inflacioni prej 2 për qind nuk mund të konsiderohet i ulët.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›