Vjedh mjetet që duhet të ruante, pranga 48-vjeçarit
Vjedh karburantin e mjeteve që i kishte në ruajtje, prangoset një 48-vjeçar nga fshati Panaja. Burime zyrtare nga Policia e Vlorës bëjnë të ditur se është arrestuar në flagrancë Ilmi Memini, pasi një natë më parë është kapur duke transportuar 150 litra karburant të vjedhur. Mësohet se 48-vjeçari Memini punonte si roje tek automjetet e firmës që ndërton autostradën Levan-Vlorë. Burri është kapur në fshatin Cerkovinë, së bashku me një bashkëpunëtorin e tij. Në cilësinë e provës materiale policia ka bërë sekuestrimin e karburantit të vjedhur dhe automjetit me të cilin po transportohej karburanti. Dokumentet për këtë çështje i kanë kaluar për veprime të mëtejshme procedurale Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Vlorës, për veprën penale, "vjedhje në bashkëpunim".