E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektohet vazhdimi i Durrës-Kukës

Autostrada Vërmicë-Merdar, vazhdimi i rrugës Durrës-Kukës-Morin, do të realizohet sipas standardeve evropiane e ndërkombëtare dhe me transparencë të plotë. Deklarata vjen nga kryetari i Komitetit Ndërministror për Ndërtimin e Autostradës, ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, pas takimit të djeshëm me anëtarët e tjerë të grupit të punës, ku bën pjesë edhe përfaqësuesi i Bankës Botërore në Prishtinë, Ranxhit Najak. Megjithatë, pala kosovare nuk jep detaje rreh kostos dhe burimit të financimit, apo fillimit të punimeve, me pretekstin se ende nuk janë bërë vlerësimet e sakta. Në grupin e punës për nderimin e autostradës marrin pjesë edhe ministrat e Ekonomisë e Financave Ahmet Shala, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku dhe ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Mahir Jagxhillari. Projekti do të marrë mbështetjen edhe të Bankës Botërore, pasi konsiderohet i kushtueshëm. "Me asistencën profesionale të Bankës Botërore, garantojmë se ky proces është transparent dhe sipas standardeve evropiane. Natyrisht, Banka Botërore do të ndihmojë në aspektin teknik, me konsulencë dhe në gjithë këtë proces deri në fillimin e punimeve të autostradës", tha Limaj. Buxheti i Kosovës nuk ka mundësi ta realizojë vetë projektin, por qeveria po shikon mundësinë e dhënies me koncesion ose marrjen e kredisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›