E Diel, 1 Nëntor 2026

Hipertensioni, si fitoi Shqipëria mes 102 vendeve

Mjekësia shqiptare nuk është pjesë e konferencave perëndimore vetëm me prezencën e saj. Vitet e fundit, përveçse mbledh në Tiranë, në seminare e kongrese, mjekë nga vende të ndryshme të botës për marrjen dhe dhënien e përvojave, nderohet edhe me çmime apo certifikata cilësie.

Në garën e 102 vendeve, Shërbimi i Sëmundjeve Interne në spitalin "Nënë Tereza" ka fituar një certifikatë cilësie për kapacitetet njerëzore, për metodën e trajtimit të pacientëve në këtë pavijon dhe në mënyrë të veçantë për kurimin e hipertensionit sekondar. Sëmundje kjo që mbetet në qendrat e bisedave dhe diskutimeve më të rëndësishme mes specialistëve, në të gjithë botën.

Ky dokument "garancie" është dhënë nga shoqata europiane e hipertensionit. Punimet që kanë referuar në Milano specialistët shqiptarë, si dhe diskutimet gjatë konferencës së mbajtur në Milano, Itali, kanë qenë treguesit kryesorë për cilësitë që kanë certifikuar mjekësinë shqiptare, përfaqësuar nga shërbimi i sëmundjeve interne. Në një intervistë, shefi i këtij shërbimi, ish-drejtori i Qendrës Spitalore Universitare, Mihal Tase, tregon lidhur me shërbimin, mjekët, bashkëpunimin me shoqatën europiane të hipertensionit, si dhe problemet e shqiptarëve me këtë sëmundje.

Çfarë trajton shërbimi i sëmundjeve interne dhe cili është kapaciteti i tij? Pavijoni juaj konsiderohet si një nga pavijonet më të pastra dhe më të organizuara. Kujt i detyrohet kjo?

Në shërbimin tonë trajtohen të sëmurë kompleksë, mjekohen shumë sëmundje: të veshkave, mëlçisë, enëve të gjakut, zemrës dhe në mënyrë të veçantë hipertensioni. Të sëmurët të cilëve nuk u është përcaktuar diagnoza, që ende nuk u është vendosur emri i sëmundjes nga e cila vuajnë, pacientë me hipertension arterial, dërgohen pranë shërbimit tonë për t‘u mjekuar. Po ashtu, të tjerë të sëmurë, të cilët nuk kanë gjetur zgjidhje të problemeve të tyre në sistemin parësor, vijnë për t‘u vizituar pranë shërbimit tonë.

Ndërkohë që janë nga 5 për qind deri në 7 për qind e pacientëve që vuajnë nga hipertensione të rënda, që ne i quajmë pacientë me hipertension sekondar. 28 deri në 30 për qind e popullatës shqiptare vuan nga hipertensioni, ndërkohë që puna për gjetjen e faktorëve të hipertensionit sekondar është edhe më intensive për mjekët. Hipertensioni është shumë i shpeshtë në moshat mbi 40 vjeç. Zbulimi i hershëm i tij është tepër i rëndësishëm, ndërkohë që shkaktarë të hipertensioneve sekondare mund të gjesh në pesë apo në gjashtë raste të veçanta.

Shërbimi jonë ka pajisjet e nevojshme për të kryer diagnostikime, ka 40 shtretër. Në shërbimin tonë punojnë 10 mjekë, prej të cilëve katër janë pedagogë pranë Fakultetit të Mjekësisë.

Çdo vit presim 500-600 pacientë, ndërkohë që diagnostikohen rreth 1 mijë të sëmurë nga i gjithë vendi.

Për sa i takon higjienës dhe organizimit, mendoj që shërbimi ynë është një shërbim i ri, i cili është rikonstruktuar para 5 vjetësh. Veç kësaj, puna e grupit, organizimi i personelit dhe mirëmbajtja janë një faktor shumë i rëndësishëm.

Cilat janë meritat që ju kanë klasifikuar ju si shërbim i shkëlqyer, në mënyrë të veçantë për trajtimin e hipertensionit?

Janë mbushur më shumë se 2 vjet që kur ne kemi nisur bashkëpunimin tonë me Shoqatën Europiane të Hipertensionit. Fryt i këtij bashkëpunimi kanë qenë edhe kurset e kualifikimit për disa mjekë. Shërbimi i Sëmundjeve Interne, në bashkëpunim me shërbimin e Kardiologjisë në QSUT dhe mjekëve kardiologë të rretheve arritëm të kryenim një studim, i cili zgjati për gjashtë muaj. Ky studim ishte lidhur me mjekimin kompleks të zemrës, veshkave, mëlçisë, syve, enëve të gjakut. Ndërkohë që kemi paraqitur disa punime, studime të cilat tashmë i kemi dhe në formën e abstrakteve. Veç këtyre, ne si spital i plotësonim kërkesat për kriteret e tyre.

Trajtimi i hipertensionit arterial sekondar, puna në grup si dhe infrastruktura, na kualifikuan dhe bënë që në Milano, në konferencën e organizuar nga kjo shoqatë, ne të na jepej certifikata e ekselencës.

Duke qenë se hipertensioni është një nga sëmundjet më të prekshme të popullatës, mund të na rendisni disa nga faktorët dhe si mund të parandalohet kjo sëmundje?

Hipertensioni prek një shumicë të madhe njerëzish. Zë vendin e parë në botë për nga numri i të prekurve. Janë rreth 1 miliard njerëz në botë, të cilët vuajnë nga kjo sëmundje. Ka më shumë vdekje nga hipertensioni, se nga trauma, nga aksidentet apo nga sëmundje të tjera. Rreth 30 për qind e trajtimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës rezultojnë të jenë të suksesshme. Në Angli janë vetëm rreth 10 për qind e tyre të suksesshme.

Genet apo moshën nuk mundemi ta ndryshojmë dot, të cilat janë të lidhura ngushtë me sëmundjen e Hipertensionit, megjithatë mund të parandalojmë sëmundjen duke kontrolluar mbipeshën, kripën, alkoolin, duhanin, dhe duke mos bërë një jetë sedentare. Pra, duke pasur aktivitet të vazhdueshëm. Hipertensioni nuk ka shenja, ai mund të konstatohet nga një matje e rastësishme, ndërkohë që duhet mjekuar dhe duhen gjetur shkaqet e tij.

Kontrolli i kripës është tepër i rëndësishëm. Kjo duket edhe te shoqëritë perëndimore, të cilat duke përdorur në masë ushqime të konservuara, vuajnë në një përqindje më të lartë, se vende të tjera si pasojë e përdorimit të kripës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›