E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maturantët ankohen për vlerësimin e testeve

Ndonëse në rang kombëtar niveli i maturantëve në provimin e detyruar të Gjuhës dhe Letërsisë ka qenë i kënaqshëm, ai nuk ka qenë i tillë për një pjesë të madhe të të rinjve. Kryesisht për ata që kanë pretenduar të marrin notën 10. Në shkallë vendi vetëm 5 për qind e të rinjve të maturës së këtij viti mundën që të merrnin rezultatin maksimal prej 45-50 pikësh. Ndërsa shumë të tjerë ranë nga niveli i notës 10, që e kishin mbajtur për të katërt vitet e gjimnazit, duke u vlerësuar me notën 8. Thuajse në të gjitha drejtoritë arsimore në rrethe mësohet se janë dorëzuar ankesat e të rinjve lidhur me vlerësimin e testeve të tyre. Kjo edhe për faktin se në rregulloren e maturës shtetërore të këtij viti lejohet rikorrigjimi i rezultatit në rast se verifikohen gabime në vlerësim. Por pretendimi që kanë shumë maturantë lidhet me faktin se, ata që kanë vlerësuar testet e tyre, nuk janë treguar objektivë, por subjektivë në vënien e pikëve. Madje, në shumë ankesa thuhet se ata ngrenë pikëpyetje dhe kërkojnë garanci për nivelin e vlerësuesve të tyre.

Pika e dobët e të gjithëve në provimin e detyruar të Gjuhës dhe Letërsisë nuk kanë qenë përgjigjet e pyetjeve me alternativa, por eseja. Si një zhanër që lëvrohet vetëm prej pak vitesh në shkollat e vendit tonë, ajo ka ngritur shumë pasiguri si në radhët e vetë nxënësve, por edhe për përgatitjen dhe aftësinë e mësuesve. Po kështu, edhe në procesin e vlerësimit të testeve. Përfaqësues të Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të nxënësve shprehen se në procesin e korrigjimit të testeve janë përzgjedhur mësuesit më të mirë të shkollave. Por nga ana tjetër vetë mësuesit që kanë marrë pjesë në të katër qendrat e vlerësimit në Tiranë dhe në rrethe pohojnë se këtë herë askush nuk ka mundur të shmangë një përzgjedhje politike mes arsimtarëve. Ata që janë mbështetur më tepër dhe janë përzgjedhur për të marrë pjesë si vlerësues, kanë qenë më së shumti mësues të njohur për bindjet e tyre të djathta. Madje, ka pasur edhe ndonjë rast, edhe në Tiranë, kur në trupën e vlerësuesve është përfshirë edhe ndonjë person që nuk e ushtron më profesionin e mësuesit, ndonëse vite më parë ka punuar si i tillë.

Gjithashtu, një tjetër shqetësim i ngritur nga maturantët në kryeqytet është edhe fakti se, sipas tyre, në shumë shkolla në rrethe është abuzuar dhe nxënësit janë lejuar që të kopjojnë. Ndërsa, për shkollat e qytetit të Tiranës, një gjë e tillë ka qenë thuajse e pamundur, për shkak të monitorimit të rreptë.

Tanimë pritet edhe shpallja e rezultateve të provimit të dytë të detyruar të maturës shtetërore, atij të matematikës. Në rregulloren e maturës shtetërore specifikohet fakti se rezultatet e provimeve duhet të shpallen dy javë pas datës së zhvillimit të tyre. Ndaj të rinjtë do të mund ta shuajnë kureshtjen jo më parë se sa data 25 qershor, ndonëse mësohet se korrigjimet kanë përfunduar. Ndonëse procesi i vlerësimit mbyllet brenda një afati kohor prej jo më pak se 10 ditësh, përgjigjet bëhen publike pas realizimit të procesit të sekretimit ose të lidhjes së të dhënave, ku bar-kodit të shënuar në çdo fletë provimi i bashkëngjitet në mënyrë kompjuterike edhe emri përkatës i maturantit. Gjithashtu, përmes një formule të paracaktuar bëhet edhe konvertimi i pikëve që ka marrë gjithsecili në nota.

Dy provimet e lëndëve me zgjedhje, të cilat përfaqësojnë ndryshe garën për në universitetet publike në vend, do të zhvillohen më 10 korrik. Këtyre provimeve pritet t‘u nënshtrohen rreth 48 mijë të rinj, maturantë të këtij viti dhe të viteve të mëparshme që nuk kanë mundur të frekuentojnë ndonjë shkollë të lartë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›