E Diel, 1 Nëntor 2026

Fushata zgjedhore, dyfishohet numri i familjeve me ndihmë ekonomike

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Burrelit, zhvilluar pak ditë më parë, është rritur me gati dy herë numri i familjeve të përfshira në skemën e ndihmës ekonomike. Kështu, në mbledhjen e radhës së muajit qershor, përgjegjësja e zyrës së ndihmës ekonomike të kësaj bashkie, Shpresa Meta, ka paraqitur para këshillit për miratim projekt-vendimin, sipas të cilit përfshiheshin në skemën e përfitimit të ndihmës ekonomike një numër i konsiderueshëm familjesh, gjë që ka ngjallur debate mes këshilltarëve. Madje ka qenë këshilltari demokrat, Behar Qerimi, të cilit i ka rënë në sy fakti se të gjitha familjet e propozuara nga sektori i ndihmës ekonomike të bashkisë, për t‘u përfshirë në skemë, në bazë të dokumentacionit të paraqitur, e meritonin plotësisht atë. Por, fakti se këto familje janë lënë të papërfshira deri më tani, edhe pse e kanë merituar marrjen e ndihmës ekonomike, lë për të dyshuar se kjo përfshirje në muajin qershor, pikërisht në prag të zgjedhjeve parlamentare, bëhet për fushatë elektorale, pra për "blerje" votash. Ndryshe nga herët e tjera, kur një numër i madh familjesh ishin larguar nga skema e përfitimit për arsye të ndryshme, këtë herë të gjithë aplikantët ishin përfshirë në projektin e administratës së bashkisë për të përfituar. Kujtojmë se para pak më shumë se një viti, në zbatim të urdhrit të Kryeministrit Berisha, për dhënien e plotë të ndihmës ekonomike, për çdo muaj, u hoqën nga skema një numër i konsiderueshëm familjesh. Çuditërisht, për muajin maj janë pranuar të gjitha kërkesat e paraqitura. Ndërkohë, në mbledhjen e këshillit bashkiak ka reaguar punonjësja e ndihmës ekonomike, Shpresa Meta, e cila u shpreh se kjo nuk është bërë për fushatë, por fondi këtë muaj ka ardhur më i lartë dhe gjendja e këtyre familjeve dihet. Vetëm këtë vit numri i familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike në Bashkinë e Burrelit është rritur me afro 300 familje. Dy vjet më parë, nga 1200 familje, mbetën në skemë vetëm 430 prej tyre. Ndërkohë, numri i familjeve përfituese dje shënoi shifrën 735, pra gati është dyfishuar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›