E Shtunë, 31 Tetor 2026

Euro ulet sërish, dollari në maksimum

Kursi

Monedha e përbashkët europiane humbi 30 qindarka të tjera kundrejt lekut dhe u këmbye në tregun me pakicë për 136.6 lekë, pas tronditjeve që pësoi në tregun ndërkombëtar. Nga ana tjetër, dollari amerikan fitoi 1.34 lekë ose 1.3 për qind, duke shënuar kuotën më të lartë në gjashtë vjet kundrejt lekut, si dhe një nga lëvizjet më të forta ditore të shënuara. Dollari kushtoi dje mesatarisht 106.76 lekë. Që nga fillimi i prillit, euro ka humbur 2.2 për qind kundrejt lekut, por dollari ka fituar më shumë se 3.5 për qind. Të gjitha ndryshimet e javës së fundit qenë pasojë e korrektimeve në kurs të imponuara nga tregu ndërkombëtar. Euro u shit dje për vetëm 1.27 dollarë, gati pesë cent më lirë se një javë më parë. Kushtet për këmbimin direkt lek/euro gjithsesi janë tashmë më shumë në favor të lekut. Presioni mbi monedhën kombëtare është reduktuar ndjeshëm, veçanërisht si pasojë e vendimit të Bankës së Shqipërisë për të ndërprerë financimet e drejtpërdrejta të bankave me para të reja, ndërsa këto të fundit kanë filluar ngadalë të kthejnë borxhet e krijuara ndaj BSH-së gjatë vitit të krizës 2009.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›