E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eurobarometër: 82 për qind kërkojnë anëtarësim në BE

Autori i Lajmit: red.
Një pjesë e madhe e qytetarëve të Maqedonisë (82 për qind) besojnë se vendi do të ketë dobi nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian, që është përqindje shumë më e madhe në krahasim me kandidatet tjera, Kroacinë dhe Turqinë.
Shumica e këtij grupi vlerësojnë se dobia kyçe do të ishte zhvillimi ekonomik, pas së cilës vijon ruajtja e paqes dhe stabilitetit në vend, standard më të lartë jetësor si dhe mundësi të reja për punësim, tregojnë rezultatet nga raporti i fundit i 69-të i Eurobarometrit Standard.
Sondazhi i mendimit publik u zhvillua në 27 vende anëtare të BE-së si dhe në tre vende kandidate - Maqedoni, Kroaci dhe në Turqi, si dhe në pjesën e Qipros që është nën qeverisjen turke, gjatë periudhës ndërmjet 25 marsit dhe 4 majit të vitit 2008, lajmëroi delegacioni i BE-së në Maqedoni.
Qytetarët e Maqedonisë vazhdojnë të demonstrojnë nivelin më të përhapur të optimizmit sa i përket ardhmërisë së BE-së (83% në pranverë 2008 dhe 82% në vjeshtë të 2007) në krahasim me të gjitha vendet tjera ku u zhvillua anketa.
E përbashkët për opinionin edhe në Maqedoni edhe në shtetet e BE-së është që shumica e qytetarëve kanë më shumë prirje për të shprehur besim në Bashkimin sesa në qeveritë e tyre nacionale.
Ndonëse mbështetësit e zgjerimit të mëtejshëm të BE-së janë më të numërt se oponentët, një numër ende i rëndësishëm i qytetarëve të Bashkimit i kundërvihen zgjerimit.
Në vjeshtë të vitit 2007, 46 për qind e të anketuarve në vendet e BE-së e përkrahnin zgjerimin kurse, 40 për qind ishin kundër. Në pranverë të vitit 2008, 47 për qind e të anketuarve përkrahnin zgjerimin e BE-së, kurse 39 për qind ishin kundër.
Numri i qytetarëve në vend që presin që jeta e tyre të përmirësohet është dy herë më i madh (40 për qind) krahasuar me atë të qytetarëve që janë pesimistë në lidhje me të ardhmen. (19 për qind).
Në gjashtë muajt e fundit, numri i qytetarëve që vlerësonin se vendi është duke shkuar në drejtim të duhur u rrit për 9 për qind (prej 38 në 47 për qind).

Pangallos:
Problemi
rreth emrit
ideologjik

Ish - ministri i Jashtëm grek dhe anëtar i partisë më të madhe opozitare PASOK Todoros Pangallos ka deklaruar se kontesti rreth emrit është ideologjik, problem të cilin ai e identifikon tek e djathta greke.
Kështu thuhet në njoftimin e kryetarit të Parlamentit Trajko Veljanovski pas takimit që ky i fundit zhvilloi me delegacionin i Parlamentit Europian për siguri dhe mbrojtje, anëtar i së cilës ishte edhe zyrtari grek Pangallos.
Ai ka qenë ministër i Jashtëm grek në periudhën 1996 deri në 1999, duke kujtuar se në këtë periudhë është angazhuar në zgjidhjen e kontestit me Maqedonisë në interes të të dyja vendeve dhe për këtë arsye siç shkruan në njoftimin e kabinetit të kryetarit të Parlamentit, ka propozuar si zgjidhje të mundshme emrin Republika e Maqedonisë në kllapa Shkupi. Për deputetët e VMRO DPMNE-së qëndrimi i Pangallosit është i natyrshëm, duke pasur parasysh se partia e tij është në opozitë, ndërsa për përfaqësuesit e opozitës në Maqedoni, qëndrimi i zyrtarit grek është konfirmim i parë zyrtar se pengesë kryesore për moszgjidhjen e kontestit është se në pushtet në të dyja vendet janë t5ë djathtët.
"Ka dy çështje që janë fakt, njëra është se Pangallos është nga grupi socialist dhe kuptohet se i mbron qëndrimet e socialistëve, ndërsa tjetrën do ta vlerësoja si qëndrim të tij personal", tha deputeti i VMRO – DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski.
"Për mua ishte më interesante paraqitja e ish - ministrit të Jashtëm të Greqisë Pangallos, i cili deklaroi se ky problem në mes të dyja vendeve ekziston për shkak se të dyja vendet i udhëheq e djathta. Dhe për habinë time tha se për të dyja palët, më tepër për Greqinë, është e pranueshme që emri të zgjidhet Republika e Maqedonisë – Shkupi. Eshtë për t u habitur, sepse qëndrimi zyrtar e quan të papranueshme për Greqinë", deklaroi Andrej Zhernvski, deputet i PLD-së.
Përfaqësuesit e BDI-së nga ana tjetër në takimin me zyrtarët e lartë evropian, kanë riafirmuar qëndrimin e tyre zyrtar rreth çështjes së emrit , i cili është harmonizuar edhe me partnerin e ri qeveritar VMRO DPMNE-në.
"BDI-ja ka një marrëveshje politike me partnerin e koalicionit VMRO-DPMNE dhe ne qëndrojmë pas atij qëndrimi që Republika e Maqedonisë duhet të gjej një kompromis të mundshëm që vendi sa më shpejtë të integrohet në NATO dhe BE, duke mundur të tejkalohet bllokada që bëhet nga ana e shtetit fqinjë, Greqisë", theksoi deputeti i BDI-së Tahir Hani.
Deputetët e opozitës në vend kanë komentuar edhe nënshkrimin e protokollit nga ana e Shqipërisë dhe Kroacisë për anëtarësimin e tyre në NATO, duke deklaruar se derisa këto dy vende po festojnë anëtarësimin e tyre në Aleancën Veriatlantike, Maqedonia vazhdon të festojë fitoren zgjedhore të kryeministrit Gruevski, të cilit i intereson vetëm rejtingu i tij personal.

Ky lajm është publikuar: 10/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›