E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot në Hagë, vendimi për Boshkovskin

Autori i Lajmit: red.
Këshilli Gjyqësor i Hagës sot do të japë vendimin për Lube Boshkoskin dhe Johan Tarçullovskin lidhur me çështjen "Lubeten".
Gjyqtarët Kevin Parker, Kristine Van den Vingert dhe Krister Telin vendimin do ta publikojnë në orën 14:15 në Sallën e gjykatës 1.
Në Hagë sot do të asistojë një delegacion i Maqedonisë, në përbërje të së cilës janë ministri i Drejtësisë, Mihajllo Manevski, i Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, si dhe deputeti i VMRO-DPMNE-së, Vllatko Gjorqev.
Gjykimi i Lube Boshkoskit dhe Johan Tarçullovskit në Gjykatën e Hagës nisi më 16 prill të vitit 2007, ndërsa përfundoi më 8 maj të këtij viti me ballafaqimin e argumentave nga mbrojtja dhe prokuroria. Mbrojtja kërkoi lirimin, ndërsa prokuroria dënime me burg prej 12 vitesh për Boshkovskin dhe 15 vjet për Tarçullovskin.
Prokurorët e mbështetën akuzën për përgjegjësi komanduese të Boshkovskit dhe për përgjegjësi personale të Tarçullovskit për ngjarjet në Lubeten në më 12 gusht të vitit 2001, kur humbën jetën shtatë banorë të kombësisë shqiptare.
Në fjalët e shkurtëra përfundimtare në fund të gjykimit, edhe Boshkovski edhe Tarçullovski përsëritën se nuk ndjehen fajtorë dhe se presin të lirohen.
Në procesin gjyqësor ishin marrë në pyetje gjithsej 64 dëshmitarë të prokurorisë dhe të mbrojtjes, me rreth 1.200 çështje argumentuese, ndërsa proces-verbali i dëshmive të dëshmitarëve eshtë mbi 11.000 faqe.
Kjo është çështja e vetme e Gjykatës së Hagës lidhur me konfliktin gjashtëmujor në Republikën e Maqedonisë.
Lube Boshkovski dhe Johan Tarçullovski janë të akuzuar për shkeljen e ligjeve dhe kodeve të luftës, lidhur me rastin e Lubetenit. Boshkoski është akuzuar për përgjegjësi komanduese, respektivisht si ministër i Punëve të Brendshme dhe që i kishte miratuar Tarçullovskit formimin dhe udhëheqjen e një njësie policore, e cila në gusht të vitit 2001 zbatoi aksionin vrasës në Lubeten.
Lube Boshkovski u ekstradua në Hagë nga Kroacia më 24 mars të vitit 2004, ndërsa Johan Tarçullovski u nis nga Shkupi për në Hagë më 16 mars të vitit 2005.
Hetuesit e Hagës në vitin 2002 filluan hetimin për pesë çështjet e konfliktit të vitit 2001. Katër rastet e tjera, mbyllja e digës së Likovës, keqtrajtimi i të punësuarve në ND Mavrovë, varreza në Neproshten dhe kryesia e UÇK-së, prokuroria e Hagës i ktheu për gjykim në Maqedoni.

Ky lajm është publikuar: 10/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›