E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndihma ekonomike, jashtë skemës 3167 familje

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Rreth 3167 familje kanë abuzuar në marrjen e ndihmës ekonomike. Lajmi bëhet i ditur nga Shërbimi Social Shtetëror, i cili pohon gjithashtu se këto familje janë larguar nga skema. Drejtoresha e SHSSH-së, Vilma Premti, tha se për shkeljet e konstatuara janë propozuar gjithsejt 69 masa administrative, nga këto 5 largime nga puna, 53 vërejtje me shkrim, 11 gjoba për personat përgjegjës si dhe është lënë detyrë për t u kthyer shuma 5.765.000 lekë e përfituar padrejtësisht. Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH), në zbatim të politikave sociale të qeverisë për zbutjen e varfërisë, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit ka realizuar menaxhimin dhe shpërndarjen e një fondi prej 1.7 miliard lekë. Nëpërmjet këtij fondi u trajtuan mesatarisht rreth 101.000 familje të varfëra, nga të cilat 41.000 familje me ndihmë të plotë dhe 60.000 të tjera me ndihmë të pjesshme. "Ecuria dhe dinamika e programit të ndihmës ekonomike (NE) gjatë kësaj periudhe tregon se është përforcuar tendenca e uljes së numrit të familjeve përfituese nga ky program. Si rezultat i inspektimeve janë larguar nga skema e ndihmës ekonomike rreth 3167 familje, që e përfitonin në mënyrë abuzive këtë pagesë, me një efekt financiar 8.102.000 lekë ",- deklaroi dje drejtoresha e SHSSH-së, Vilma Premti. Veprimtaria e kësaj strukture në varësi të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, është orientuar nga zbatimi i politikave në fushën e ndihmës dhe shërbimeve sociale. Aktualisht janë rreth rreth 93500 familje të varfra që përfitojnë ndihmën ekonomike, ose rreth 7500 familje më pak krahasuar me dhjetorin e vitit 2007. Në këtë gjashtëmujor Drejtoria e Inspektimit dhe zyrat rajonale kanë realizuar inspektimin e 209 Njësive të Qeverisjes Vendore. "Gjatë inspektimeve të ushtruara për tremujorin e parë të vitit 2008 janë konstatuar raste të moszbatimit të legjislacionit të përfitimit të ndihmës ekonomike për 3167 familje me një efekt financiar 8.102.000 lekë; moszbatimit të legjislacionit të përfitimit të pagesës së aftësisë së kufizuar për 740 raste me një efekt financiar 6.410.000 lekë",- tha më tej Premti. Ndërsa lidhur me numrin e birësimeve gjatë periudhës 6-mujore të vitit 2008 janë birësuar 21 fëmijë, 14 jashtë dhe 7 brenda vendit.

Pagesa për PAK
Për gjashtëmujorin e parë të vitit 2008 me fondet buxhetore u trajtuan 122.091 persona me aftësi të kufizuar nga të cilët:
a)54686 persona me diagnoza të ndryshme nga të cilët 8155 përfitojnë kujdestari.
b)14.738 persona të verbër nga të cilët 3.595 përfitojnë kujdestari.
c)2.237 persona para e tetraplegjikë nga të cilët 2095 përfitojnë kujdestari dhe 1991 persona përfitojnë paketën higjieno-sanitare d)48.335 persona që përfitojnë nga statusi i invalidit të punës.
Tendenca e numrit të përfituesve të pagesës së PAK gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2008 ka qenë në rritje. Në krahasim me vitin e kaluar, kjo skemë është rritur me 7091 persona ose 7% me shumë. Rritja ka qenë më e lartë në invalidët e punës dhe në kategorinë e përfituesve të shërbimit të kujdestarisë.

Fëmijët, 21 të birësuar
Gjatë periudhës janar–qershor 2008, në rrjetin e institucioneve publike dhe jopublike të përkujdesit shoqëror janë trajtuar:
a)583 fëmijë - 294 fëmijë në institucione publike (55-ditore), dhe 344 në OJF-të b)319 persona me aftësi të kufizuar (107- ditore)
c)305 të moshuar në qendra rezidenciale (70 të moshuar në qendrat ditore).
d)Janë trajtuar në 24 qendra ditore dhe 17 rezidenciale jopublike gjithsej 6354 fëmijë (270 rezidenciale) Pra rreth 90% e fëmijëve trajtohen në format alternative jorezidenciale të shërbimit.
e)Janë pranuar gjithsej në institucione publike dhe jopublike me vendim komisioni janar–qershor 2008 93 fëmijë ( 54 fëmijë në institucionet jopublike dhe 39 fëmijë në institucionet publike )
f)Numri i birësimeve gjatë periudhës 6-mujore është 21 fëmijë. (14 JSH + 7 BV)
Ky lajm është publikuar: 10/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›