Rastet e gripit shoqërohen me komplikacione shëndetësore
Gjirokastër- Rastet e shumta të pacientëve të infektuar me gripin stinor në Qarkun e Gjirokastrës, gjatë këtyre ditëve, janë shoqëruar edhe me komplikacione të rënda shëndetësorë. Sipas bluzave të bardha, në urgjencën e spitalit të Gjirokastrës, brenda një dite paraqiten 30-40 persona, për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Pjesa më e madhe e tyre janë pacientë që kanë probleme respiratore. “Gjatë ditëve të fundit ka qenë i konsiderueshëm numri i pacientëve që kanë marrë ndihmën mjekësore, si shkak i shqetësimeve shëndetësore që kanë pasur nga temperaturat e ulta dhe i ftohti”, thonë mjekët e urgjencës në Gjirokastër. “Si shkak i temperaturave të ulta është rritur numri i fëmijëve të moshave të vogla që paraqiten me bronkite, pneumoni etj”, thonë mjekët pediatër në spital. Ndërkohë, një pjesë e tyre kanë marrë mjekimin e specializuar në spital, ndërsa pjesa tjetër e kanë vazhduar kurën mjekësore në kushtet e shtëpisë. Por ka pasur raste, kur megjithë mjekimin e rregullt, gjendja shëndetësore e pacientëve është rënduar edhe më shumë, duke u shoqëruar me komplikacione shëndetësore. Në këtë situatë, pjesa më e madhe e pacientëve është shtruar në repartin e infektivit të spitalit të Gjirokastrës, për të marrë një ndihmë më të specializuar shëndetësore. Gjithashtu, në spitalin e Gjirokastrës janë ngritur dhomat e karantinës, për të pritur çdo të dyshuar të mundshëm me virusin H1N1. Sipas drejtuesve të tij, spitali i Gjirokastrës disponon të gjitha medikamentet e nevojshme dhe stafin mjekësor të specializuar, për të përballuar çdo situatë të rënduar, si shkak i epidemisë së gripit.