E Diel, 1 Nëntor 2026

Eurodeputetët i kërkojnë opozitës shqiptare ndërprerjen e bojkotit

26/11/2009  Parlamenti Europian miraton rezolutë për zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit Perëndimor

Parlamenti Europian ka miratuar në seancën e djeshme rezolutën mbi strategjinë e zgjerimit të Bashkimit Europian. Në këtë dokument të rëndësishëm theksohen synimet e zgjerimit të BE-së me vende të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, Turqinë dhe Islandën. Në këtë rezolutë eurodeputetët, në kapitullin që i përket Shqipërisë, i kanë bërë thirrje opozitës të ndalë bojkotin e të kthehet në Parlament për të përfaqësuar zgjedhësit në legjislativ. Thirrja e sanksionuar në amendamentin 15/a të kësaj rezolute shpreh qartë qëndrimin e legjislativit europian për vendimin e Partisë Socialiste për të lënë jashtë dyerve të Kuvendit deputetët e saj. Ndër të tjera në këtë amendament thuhet se PE-ja është e kënaqur me përbërjen e koalicionit të ri qeverisës në Shqipëri si dhe me raportin e fundit të OSBE-së mbi mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 28 qershorit. Eurodeputetët e Parlamentit Europian kanë vlerësuar përmes një deklarate progresin e Shqipërisë. Në këtë deklaratë i kërkuan Tiranës zyrtare dhe Bosnjë-Hercegovinës që të përshpejtojnë implementimin e reformave, në mënyrë që të përfitojnë sa më shpejt nga regjimi i liberalizimit të vizave. Deklarata ishte pjesë e amendamenteve për Shqipërinë të rezolutës “Strategjia e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, Islandës dhe Turqisë”, miratuar në seancën plenare të mesditës në Strasburg. Rezoluta, e përpiluar nga eurodeputeti Gabriele Albertini, vlerëson progresin e Shqipërisë që pas raportprogresit të fundit, në veçanti në fushën e dokumenteve të identitetit dhe në përmirësimin e kornizës ligjore administrative të procesit zgjedhor. Autoritetet shqiptare ftohen të vazhdojnë përpjekjet e tyre në rrugën e reformave që duhet të jenë në favor të progresit ekonomik dhe social të qytetarëve, në mënyrë që i gjithë vendi të përparojë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Eurodeputetët ritheksuan qëndrimin e tyre si avokatë të liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, duke u kërkuar këtyre dy vendeve të nxitojnë në plotësimin e kushteve, në mënyrë që ky regjim të hyjë në fuqi që nga korriku i vitit 2010. Në prezantimin e rezolutës për strategjinë e zgjerimit, komisioneri për Zgjerimit, Oli Rehn, tha se javën e ardhshme BE-ja do të ndërmarrë një hap të rëndësishëm me hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës, kur fillon dhe një epokë e re në politikën e jashtme evropiane, e cila, edhe pse jo drejtpërdrejtë, forcon konsensusin e BE-së rreth zgjerimit. “Zgjerimi ka qenë një promotor kyç i këtij procesi, që vazhdon ende të transformojë Evropën Juglindore. Aplikimi i Shqipërisë dhe i Malit të Zi për anëtarësim tregojnë vazhdimësinë e fuqisë tërheqëse të BE-së”, - tha komisioneri Rehn.

Socialistët europianë

Një grup eurodeputetësh socialistë në Parlamentin Europian kanë kundërshtuar amendamentet e bëra në rezolutën mbi strategjinë e zgjerimit të Bashkimit Europian në kapitullin që i përkiste Shqipërisë. Ata kanë kërkuar që në këtë dokument të hiqet kërkesa në emër të Parlamentit Europian drejtuar Partisë Socialiste të Shqipërisë për të ndalur bojkotin dhe të kthehet në Parlament. Mirëpo kërkesa e socialistëve nuk u mor parasysh nga pjesa dërrmuese e eurodeputetëve në Parlament. Përmes votimit ata jo vetëm që hodhën poshtë kërkesën e bërë nga kolegët e tyre të majtë, por ritheksuan qëndrimin zyrtar të PE-së, ku i kërkohet opozitës shqiptare të ndërpresë bojkotin e të kthehet në Parlament. Thirrja shpreh qartë qëndrimin e legjislativit europian për vendimin e PS-së për bojkot.

Aplikimi për në BE

Kryeministri Sali Berisha më 28 qershor të këtij viti ka paraqitur zyrtarisht kërkesën për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Përmes një ceremonie të veçantë kreu i qeverisë shqiptare i paraqiti presidentit të Këshillit të Bashkimit Europian, Mirek Topolanek, njëkohësisht kryeministër i Çekisë, vend i cili mbante në atë periudhë presidencën e radhës së Bashkimit Europian, kërkesën për statusin e vendit kandidat. Në mbledhjen e ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të BE-së, rreth mesit të këtij muaji, u mor vendimi që ti kërkohej Komisionit Europian të niste shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë.

Pyetësori

Në mes të muajit dhjetor pritet të mbërrijë në Shqipëri pyetësori i Komisionit Europian, përmes të cilit do të vlerësohen standardet e Shqipërisë dhe nëse është gati për të vijuar me procesin e integrimit në BE. Ndërkohë në Shqipëri i institucionet shqiptare, jo vetëm ministritë e linjës, por të gjitha institucionet e tjera të pavarura, të cilat janë të përfshira në procesin e pyetësorit, kanë ngritur grupet e tyre të punës, që do të jenë përgjegjësit kryesorë për përgjigjen e pyetjeve të pyetësorit; të gjitha institucionet kanë tani një tabelë, se sa do të jetë numri i pyetjeve që do tu përcillen atyre dhe se çfarë natyre do të jenë këto pyetje.

Senatorët çekë

“Bojkoti i opozitës i dëmshëm për integrimin”

Kryeministri Sali Berisha ka pritur në një takim të veçantë një delegacion të Komisionit për Çështjet me Bashkimin Europian, të Senatit çek. Gjatë këtij takimi shefi i ekzekutivit shqiptar ka biseduar me kreun e Komisionit Ludek Sefzig dhe nënkryetarin Aleksandër Vondra mbi hapat që po ndërmerr Shqipëria në funksion të procesit të integrimit evropian, si dhe mbi zhvillimet politike në vend. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, senatorët çekë janë ndalur edhe te bojkoti që opozita i bën Parlamentit në Shqipëri, duke theksuan se kërkesat që bien ndesh me parimet themelore kushtetuese, siç është mosndërhyrja dhe mosndryshimi nga politika i vendimeve të gjyqësorit, janë të rrezikshme, pasi mund të shkatërrojnë shtyllat themelore të demokracisë së një vendi. “Ne besojmë se ky qëndrim bojkotues po i sjell një dëm të madh procesit të përafrimit të Shqipërisë në BE, prandaj është e rëndësishme që nxitësit e këtij bojkoti të kuptojnë se në këtë situatë këto metoda të luftës së brendshme politike në vend sjellin një impakt shumë negativ në marrëdhëniet e Shqipërisë me partnerët ndërkombëtarë”, - ka thënë nënkryetari i Komisionit të Senatit çek Aleksandër Vondra. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, senatori çek i ka vlerësuar shumë të rëndësishme përpjekjet e kryeministrit Berisha dhe të qeverisë shqiptare për konsolidimin e shtetit ligjor dhe transparencës, duke theksuar se respektimi i ligjit, vendimeve të gjykatave dhe transparenca janë kusht i domosdoshëm për demokracinë.

Programi “Një OKB”

Suedia mbështet financiarisht qeverinë shqiptare

Qeveria e Suedisë, e cila mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian, do ti sigurojë mbështetje qeverisë shqiptare duke kontribuar me 2,9 milionë dollarë përmes programit “Një OKB”. E ngarkuara me punë e Ambasadës Suedeze në Shqipëri Elisabeth Stam nënshkroi një marrëveshje me përfaqësuesen e përhershme të Kombeve të Bashkuara Gülden Turkoz-Cosslett, në prezencë të ministrit të Shtetit Genc Pollo. Ministri Pollo ka deklaruar se qeveria shqiptare vlerëson shumë kontributin e qeverisë së Suedisë për Shqipërinë përmes programit “Një OKB”. “Programi mbështet aspiratat e vendit për anëtarësim në Bashkimin Europian. Iniciativa “Një OKB” e ka bërë OKB-në një partner zhvillimi më të fokusuar, që mbështet prioritetet kombëtare në mënyrë më të koordinuar dhe me efiçente”, - ka thënë Pollo. E ngarkuara me punë e ambasadës suedeze në Tiranë Elisabeth Stam tha se qeveria suedeze mbështet reformën e OKB-së dhe se mbetet në pritje të shohë rezultatet e ndihmës në terren. Qeveria e Suedisë është një nga donatorët e Fondit të Koherencës së OKB-së. Qeveria e Suedisë gjithashtu ka mbështetur zyrën e koordinatores së përhershme të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri përmes stafit teknik. Nga ana e saj koordinatorja e përhershme e Kombeve të Bashkuara, Gülden Turkoz-Cosslett, vlerësoi se kontributi financiar i siguruar nga qeveria e Suedisë për programin “Një OKB” mbështet prioritetet thelbësore të zhvillimit në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›