Rama: Kemi mbështetjen e BERZH për Unazën
Bashkia e Tiranës prezanton projektin për segmentin jugor të unazës së madhe. Kryebashkiaku Rama gjatë një takimi të zhvilluar enkas për detajimin e investimit të ri nënvizoi se Banka Evropiane për zhvillim (BERZH) do të mbështesë realizimin e tij. Ky është një projekt i studiuar sipas të gjitha standardeve evropiane dhe sot në vendin tonë nuk ka asnjë projekt më të kompletuar në sensin e parametrave evropianë. "Ky projekt përbën edhe një model, se si ne duhet t'i zhvillojmë rrugët e vendit tonë dhe se si ne duhet të zgjidhim, jo vetëm problemet e të sotmes por edhe të parashikojmë të ardhmen në shumë vite", tha Rama. Sipas tij, ndërtimi i pjesës jug-perëndimore të Unazës së Madhe parashikohet të ketë një impakt të rëndësishëm në përballimin e lëvizjes në qytetin e Tiranës. Kjo pjesë e Unazës së Madhe, fillon në kryqëzimin me rrugën e "Kavajës" deri në kryqëzimin me rrugën e "Elbasanit" dhe ka një gjatësi prej 5.5 km". Kjo rrugë do të mundësojë shmangien e një pjese të trafikut ekzistues që sot kalon nëpër qendrën e Tiranës ose në Unazën ekzistuese të saj", tha Rama. Paralelisht me projektin e zhvillimit të Unazës së Re, për herë të parë në vend do të ngrihet një qendër e kontrollit të trafikut, çka do të thotë se në kryeqytet do të mundësohet kontrolli vizual mbi trafikun. "Përmes kësaj qendre, që të kontrollohet çdo aks, të kontrollohet çdo shkelje që ndodh në mënyrën se si qarkullohet dhe pastaj kjo shkelje do t'u përcillet në mënyrë të kompjuterizuar, organeve kompetente për ndëshkimin e tyre, me qëllim parandalimin e krijimit të konfliktit në pika të ndryshme, përmes bashkëpunimit me strukturat shtetërore kompetente, duke pasur në monitorim të vazhdueshëm si me një sy nga lart, të gjithë kryeqytetin", sqaroi kryebashkiaku. z.ll