BERZH: Çfarë duhet të bëni për krizën
Fabiola Çela
Edhe pse një ekon-omi e vogël dhe e izoluar nga tregu ndërkombëtar, ekonomia shqiptare do të ndikohet nga kriza globale. Në një intervistë të dhënë për gazetën “Panorama”, drejtori i BERZH-it për Ballkanin, Claudio Viezzoli, ka shpjeguar efektet që do të ketë kjo krizë në ekonomi si dhe hapat që duhet të ndërmarrë qeveria shqiptare për kapërcimin e kësaj krize.
Si e konsideroni situatën ekonomike në Shqipëri, a ka ndikuar kriza globale?
Kriza financiare ndërkombëtare është goxha serioze. Ajo është reflektuar në Evropë dhe shumë vende janë përfshirë në atë që quhet krizë bankash. Si pasojë e kësaj krize, rritja ekonomike pritet të jetë më e ulët në të gjithë vendet e Evropës. Për sa i përket Shqipërisë, ajo është pak më mirë se vendet e tjera të Evropës. Kjo për shkak se Shqipëria dhe të gjitha vendet e Ballkanit janë ekonomi të izoluara nga tregu ndërkombëtar financiar dhe për këtë arsye ekonomia shqiptare e përjeton më pak krizën se vendet e Evropës. Gjithashtu ne vlerësojmë se qeveria dhe Banka e Shqipërisë kanë ndërmarrë hapat e duhur për ta parandaluar përhapjen e kësaj krize në vend. Por, pavarësisht kësaj, ne kemi parashikuar se kjo krizë do të japë ndikimet e saj edhe në rajon. Si pasojë e krizës globale financiare do të ketë një rënie të rritjes ekonomike, e cila vjen si pasojë e uljes së investimeve të huaja, e uljes së remintancave të emigrantëve si dhe si pasojë e uljes së nivelit të kreditimit nga ana e bankave.
Një pjesë e mirë e bankave që operojnë në vend janë degë të bankave që operojnë në vendet evropiane, të cilat janë prekur nga kriza ndërkombëtare. Si e vlerësoni ju sistemin bankar në vend?
Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar në lidhje me sistemin bankar në Shqipëri. Ne vlerësojmë se sistemi bankar në Shqipëri është stabël, bankat janë të mirëkapitalizuara, kanë likuiditet dhe gjykojmë se pjesa më e madhe e bankave janë solide. Pra, në 2009 nuk do të ketë krizë në sistemin bankar shqiptar. I vetmi ndikim që mund të ketë në Shqipëri kjo krizë është ulja e dëshirës së bankave për t’u dhënë kredi sektorit privat, megjithatë ne i kemi rekomanduar bankave të nivelit të dytë që të japin më shumë kredi.
Kriza financiare globale do të ndikojë në uljen e investimeve të huaja. Çfarë masash i rekomandoni qeverisë shqiptare për thithjen e investimeve të huaja?
Qeveria po zbaton masat e duhura për të përballuar krizën ekonomike e financiare dhe kjo nëpërmjet zbatimit të politikave të saja konservative dhe fiskale. Por një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe Banka e Shqipërisë, e cila ka mbajtur nën kontroll inflacionin. Nga ana tjetër qeveria ka mbajtur nën kontroll shpenzimet e buxhetit. Por ne do t’i sugjeronim qeverisë shqiptare që të vazhdonte investimet e saj në fushën e infrastrukturës dhe energjisë. Në këtë mënyrë do të hapte vende të reja pune dhe do të qarkullonte para. Për thithjen e investimeve të huaja qeveria duhet të vazhdojë punën e nisur për përmirësimin e klimës së biznesit. Si mund të arrihet kjo? Së pari, qeveria duhet të marrë të gjitha masat e duhura, në mënyrë që procedurat për regjistrimin e biznesit të jenë sa më të lehta. Aktualisht ato janë shumë më mirë se ç’kanë qenë në të kaluarën. Hapi i dytë që duhet të ndjekë qeveria ka të bëjë me përmirësimin dhe rritjen e transparencës me biznesin, trajtimin e barabartë për të gjithë biznesin si dhe të rregullohet sistemi fiskal. Këto janë hapat kryesorë që duhen ndërmarrë.
Çfarë projektesh ka BERZH këtë vit për Shqipërinë?
Këtë vit ne kemi planifikuar që të investojmë gati 100 milionë euro. Do të investojmë në sektorin privat në ndërtimin e një qendre të madhe tregtare. Në bashkëpunim me bankat e nivelit të dytë do të investojmë në financimin e projekteve energjetike në financimin e SME-ve. Në bashkëpunim me qeverinë do të investojmë në infrastrukturë dhe konkretisht në rrugët rurale. Gjithashtu do të investojmë në rehabilitimin e digave në kaskadën e Drinit. Do të investohen gati 20-30 milionë euro për përmirësimin e sigurisë së digave.
Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Transporteve janë përfshirë në një debat për ndërtimin e unazës së madhe. Sipas ministrisë, bashkia nuk ka kapacitetet e duhura për të shlyer kredinë pranë BERZH-it. Aktualisht si po ecin negociatat për dhënien e kësaj kredie?
BERZH ka marrëdhënie shumë të mira më Bashkinë e Tiranës. Ne kemi ecur mirë në projektin e parë që kemi pasur dhe mendoj që nuk do të ketë asnjë problem me Bashkinë edhe në këtë projekt të dytë. Ne nuk shikojmë ndonjë problem në fazën e zbatimit të këtij projekti, pasi ajo është pjesë e vazhdimit të projektit të parë. Ndërkohë është Ministria e Financave ajo që vlerëson aftësinë që ka Bashkia e Tiranës për të marrë hua. Vlera e kësaj huaje arrin në 20 milionë euro. Këto janë procedura normale, ku Ministria e Financave kryen vlerësimin nëse një institucion është i aftë apo jo të marrë hua. Sipas nesh do të ketë një dialog ndërmjet bashkisë dhe ministrisë.
Disbursimi i disa kredive të dhëna nga BERZH kryhet me vonesë, a mund ta na shpjegoni pse ndodh një gjë e tillë?
Për sa i përket sektorit privat, nuk ka vonesa në disbursimin e kredive. Në sektorin publik keni të drejtë, sepse kërkohet më shumë kohë për disbursimin e kredive. Por janë procedura formale që duhen përmbushur nga të dyja palëve.