Eurodeputeti Brok: Nëse bashkëpunoni, merrni statusin

Një lajm pozitiv këtë herë për marrjen e statusit të kandidatit për në BE të Shqipërisë brenda këtij vitit vjen nga eurodeputeti Elmar Brok. Gjatë takimit që ka pasur me ministren e Integrimit Majlinda Bregu, kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, Elmar Brok duket se ka hapur një drite jeshile për vendin tone.
"Mendoj se së pari, është e rëndësishme çështja e zgjidhjes së dialogut politik dhe parlamentar në Shqipëri. Ne presim si Parlament që në fund të majit të kemi rezultate për përfundimin e reformave, çka do të ketë një impakt të madh për konstituimin e statusit të kandidatit për Shqipërinë. Sigurisht që ne do të shohim rezultatet e Shqipërisë në të gjitha fushat në progres-raportin e Komisionit, por duke qenë, se vitin e shkuar pengesa kryesore ka qenë pikërisht dialogu politik, ka një arsye të fortë për marrjen e statusit” tha ai.
Ndërsa në lidhje me reformën zgjedhore, ku politika shqiptare ka bërë hapa, eurodeputeti është përgjigjur:
"Unë mendoj që ai ishte problemi më i madh; ne nuk besonim se në Shqipëri do të vendosej një dialog midis forcave politike si ai i një demokracie klasike. Pra, të luftohet për disa çështje, por të ketë marrëveshje për disa parime. Duket që me reformën elektorale dhe atë të Parlamentit, dialogu po funksionon dhe kjo përbën plotësimin e një kushti për të ecur përpara".
Ndërkohë që gjatë vizitës së saj dy ditore ne Bruksel ministrja e Integrimit Majlinda Bregu ka marrë edhe një tjetër lajm pozitiv, që brenda muajit maj Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian do të ketë ne axhendën e tij një seancë dëgjimore për Shqipërinë.