E Diel, 1 Nëntor 2026

Eurodeputeti Chountis: Heqja e vizave me Shqipërinë, presim Komisionin



Parlamenti Europian pret që Komisioni të hapë dritën jeshile për heqjen e vizave për shqiptarët në zonën Shengen. Kështu u shpreh eurodeputeti grek, Nikos Chountis, i cili është hartuesi i rezolutës më të fundit për Shqipërinë të miratuar në Strasburg. Ai ka deklaruar se PE është shprehur qartë që procesi i liberalizimit të vizave me vendin tonë të mbyllet brenda vitit 2010. Gjatë një interviste dhënë për një agjenci lajmesh në vendin fqinj, ai ka kërkuar nga autoritetet shqiptare që të eliminojnë trafikun e klandestinëve. Sipas Chountis, nëse do të bëhet një gjë e tillë, BE do të ndihmojë Shqipërinë me fonde për projektet e punësimit. Hartuesi i rezolutës më të fundit në Strasburg tha se Shqipëria ka shumë punë për të bërë nga Tirana zyrtare në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, ku më e rëndësishme është zbatimi i ligjit. Sot gazeta “Albania” publikon pjesën e parë të kësaj interviste.

A mund të na thoni, fillimisht mendimin tuaj për Shqipërinë dhe për të ardhmen e saj në familjen Europiane?

Shqipëria është një nga vendet e Ballkanit Perëndimor, e cila ka bërë kërkesë që të bëhet anëtare e Bashkimit Europian. Nga ana e Parlamentit Europian më kërkuan që të hartoj rezolutën në të cilën duheshin shkruar hapat që ka bërë Shqipëria dhe nëse Shqipëria plotëson kushtet. Rezoluta u votua në Parlamentin Europian me 567 vota pro,47 kundra dhe 19 abstenime.

Vlerësimi ynë është se duhet të mbetet i gjallë përparimi i integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, që të integrohen në familjen europiane. Që të arrihet kjo, duhet, në radhë të parë, të zgjidhen disa probleme që kanë të bëjnë me të drejtat ndërkombëtare; probleme këto që janë të shumta, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera që duan të integrohen në BE. Disa nga problemet që duhet të zgjidhi Shqipëria janë: probleme politike, shoqërore, ekonomike, të drejtat e njeriut, sistemin e drejtësisë, etj.

Një nga problemet më të mëdha që është në Shqipëri është fakti se, ndërsa votohen shumë ligje, ato nuk zbatohen, me pasoja.

Zoti Chountis, përsa i përket liberalizimit të vizave, kur parashikohet që qytetarët shqiptarë të lëvizin të lirshëm në BE?

Liberalizimi i vizave është një premtim i Bashkimit Europian ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe, gradualisht, disa vende e kanë fituar dhe disa të tjera janë në prag të liberalizimit. Një nga këto vende është edhe Shqipëria.

Rezoluta që hartova dhe u votua në Parlamentin Europian thotë se përsa i përket kritereve, Shqipëria është gati. Është e drejta e shqiptarëve që të lëvizin pa viza në zonën Shengen dhe ajo që mbetet është që Komisioni Europian të ndezë dritën jeshile brenda vitit 2010 dhe më pas, Parlamenti Europian të përparojë në procedurat e tjera, brenda vitit 2010.

Besoni se janë plotësuar të gjitha kriteret nga pala shqiptare?

Të dhënat që ka sjellë qeveria shqiptare, si dhe shumë vende të tjera, tregojnë se shqiptarët janë gati të lëviznin pa vizë në BE. Domethënë, dokumentacionin që ka kërkuar Bashkimi Europian Shqipëria e ka sjellë. Në këtë pikë, ka vend për shumë diskutime por meqenëse liberalizimi i vizave është një premtim për vendet e Ballkanit Perëndimor, brenda vitit 2010 duhet të përfundojë. Siç e thashë edhe më sipër, një prej këtyre vendeve është edhe Shqipëria dhe meqenëse u votua rezoluta, brenda vitit 2010 duhet të përfundojë liberalizimi i vizave.

Shqipëria është një nga vendet që akoma ka shumë qytetarë që kërkojnë një të ardhme më të sigurt në vende të tjera dhe muajt e fundit janë ndaluar shumë klandestinë shqiptarë, që i drejtohen Greqisë. Nuk besoni se pas liberalizimit të vizave do të jetë më e lehtë për këta njerëz që të ikin jashtë Shqipërisë?

Kjo është një temë vërtet shqetësuese. Në rezolutën që hartova nënvizohet edhe kjo.

Muajt e fundit shumë vende po përballen me krizën financiare. Shumë shqiptarë po kthehen në vendin e tyre. Nëse një shqiptar do të vijë në Greqi, pas liberalizimit të vizave dhe nuk do të gjejë punë, atëherë nuk do të dojë as ai vetë të rrijë këtu.
Gjithashtu, në rezolutë theksohet se pas kthimit të emigrantëve në Shqipëri, Bashkimi Europian do të ndihmojë Shqipërinë ekonomikisht që të hapen punë në vend dhe qytetarët mos kenë nevojë të emigrojnë. Kjo, sigurisht, do të bëhet pasi vetë politika dhe shoqëria shqiptare të kenë bërë përpjekjet e duhura.

Nëse bëhen të gjitha këto, atëherë do të eliminohet edhe emigracioni. Uroj që të mos kemi rryma emigracioni, por shqiptarët të kenë punë në vend dhe të punojnë për zhvillimin e vendit të tyre.

Burimi: Newsit.gr

13 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›