Eurodeputeti Zoran Thaler: Statusi kandidat dhe liberalizimi i vizave, thelbësore për Shqipërinë dhe BE-në
Edhe eurodeputetët socialistë konfirmojnë besueshmërinë ndaj kursit reformator të qeverisë “Berisha 2”
Eurodeputeti Zoran Thaler, anëtar i grupit socialist në Parlamentin Evropian shprehet entuziast për progresin e Shqipërisë nën drejtimin e kryeministrit Sali Berisha dhe vlerëson axhendën e reformave qeveritare, udhërrëfyes të të cilave janë raportet ndërkombëtare.
“Parlamenti evropian dhe raportet ndërkombëtare vlerësojnë progresin e Shqipërisë dhe jemi shumë të kënaqur për hapat që po bëni”, u shpreh eurodeputeti Thaler gjatë një takimi të zhvilluar dje në mesditë me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli.
Eurodeputeti Thaler u ndal gjerësisht në ecurinë e proceseve integruese në Shqipëri, duke përgëzuar qeverinë për punën voluminoze për përfitimin e statusit kandidat në BE dhe liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë.
“Jemi shumë të kënaqur që Rezoluta e Parlamentit Evropian dhe raportet ndërkombëtare janë axhendë e punës suaj dhe udhërrëfyes të reformave që po vijoni”, theksoi ai.
Thaler shprehu interesin për intensifikim të mëtejshëm të bashkëpunimit mes Parlamentit Evropian dhe Parlamentit të Shqipërisë.
Nga ana e saj, Topalli tha se mbështetja që Parlamenti Evropian i jep Shqipërisë, mbetet thelbësore në përshpejtimin e proceseve integruese.
“Jemi shumë të vendosur për objektivin tonë të afërt, heqjen e vizave për qytetarët shqiptar. Parlamenti shqiptar si organ ligjvënës është themelor dhe lokomotivë për liberalizimin e vizave, që është edhe synimi ynë kryesor”, tha Kryetarja e Kuvendit.
Ajo theksoi më tej se “Parlamenti është i vendosur për të vijuar përpara, pavarësisht përpjekjeve për të penguar liberalizimin e vizave nga ndonjë individ”.
...