Italia dhe Spanja, nismë të përbashkët për të shpejtuar heqjen e vizave për shqiptarët
Ministrat Frattini dhe Moratinos kanë lëshuar dje në Spanjë, gjatë samitit të ministrave të jashtëm, një deklaratë të përbashkët ku u bëjnë thirrje anëtarëve të Unionit, marrjen e vendimit për heqjen e vizave gjatë muajit qershor, meqenëse “Shqipëria i ka plotësuar kriteret politike dhe ekonomike”
Kursi i integrimit të Shqipërisë në BE, pritet të marrë një temp të ri gjatë muajve në vijim, pas dorëzimi të përgjigjeve të Pyetësorit të Bashkimit Evropian. Spanja vendi që mban aktualisht Presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, së bashku me Italinë kanë propozuar një takim të nivelit të lartë të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, në muajin qershor, për të diskutuar rreth proceseve të integrimit për ato vende që tashmë kanë kapërcyer stabilitetin politik dhe kanë përmirësuar treguesit ekonomikë. Në Ballkanin Perëndimor, vendet që gëzojnë një shëndoshje ekonomike dhe një situatë të qëndrueshme politike, janë të pakta, por nuk duhet humbur fakti që vende si Shqipëria, apo edhe Mali i Zi po tregojnë një përparim të shënuar drejt plotësimit të standardeve të Brukselit. Takimi do të zhvillohet në Sarajevë e do të mbyllet me një listë masash që duhet të ndërmarrë çdo shtet në kuadër të integrimit evropian. Në deklaratën e përbashkët, thuhet se vendet e Ballkanit, kryesisht Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia etj, duhet të fokusohen në përshpejtimin dhe përforcimin e reformave. Dy shefat e diplomacisë të cilët ndodhen në takimin e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, në Cordoba të Spanjës, shprehen se qëllimi i këtij takimi do të jetë përforcimi i perspektivës evropiane të rajonit. Deklarata nga ministri Migel Moratinos dhe Franko Frattini, vë në dukje se Bashkimi Evropian ka përballë vende që kanë një demokraci të konsoliduar dhe ekonomi të përmirësuar, pavarësisht krizës financiare botërore. Siç shprehen ata, vendet e bllokut prej 27 anëtarësh, duhet t’i shprehin vendeve të Ballkanit se janë të rëndësishëm për Evropën. Madje shumë më tepër se 10 vite më parë. Në atë kohë në samitin që u mbajt në Zagreb u afirmua perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit. Ndërkohë që sot, kanë marrë statusin e vendit kandidat Kroacia dhe Maqedonia, në një kohë që Shqipëria ka aplikuar dhe pas dorëzimit të Pyetësorit me përgjigjet në kohën më të shpejtë të mundshme, Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian do të japë përgjigjen mbi aplikimin e Shqipërisë.
Mblidhet më 12 mars në Tiranë Komiteti i Stabilizim-Asociimit ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë
BE, drejt raportit final për akordimin e statusit kandidat
Javën e ardhshme Bashkimi Evropian pritet të përcaktojë delegacionin që do të jetë prezent në Tiranë më 12 mars, në mbledhjen e Komitetit të Stabilizim-Asociimit të BE-së dhe Shqipërisë. Burimet paraprake bëjnë të ditur se delegacioni do të drejtohet nga drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, Pierre Mirel.
Ky takim do të shqyrtojë hapat që ka marrë Shqipëria në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, që shkurtimisht do të thotë kushtet që Tirana zyrtare ka përmbushur pas “detyrave të shtëpisë” të lëna nga Brukseli.
Edhe pse në dukje një takim teknik, pritet të japë një sinjal të qartë për qëndrimin që do të mbajë trupi më i lartë, përkatësisht Komiteti i Stabilizim-Asociimit, i cili do të mblidhet më 11 maj në Bruksel.
Përveç Pierre Mirel, në takimin e së premtes do të jetë prezent edhe ambasadori i Spanjës në Tiranë, Manuel Montobio, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të BE-së, si dhe kreu i delegacionit të Komisionit Europian në Tirane, Helmut Lohan.
...