Eurodeputetja Pack: Shqipëria përmbush të gjitha kushtet teknike
Nuk mund të gjykoj, nëse ata (Bosnja) janë në të njëjtin nivel me Shqipërinë, por gjithsesi, niveli nuk mund të jetë më i mirë se i Shqipërisë... Opozita po i shkatërron imazhin vendit"
Parlamenti Evropian është i shqetësuar për pengesën që po krijon qëndrimi i opozitës shqiptare për integrimin evropian të vendit. Në një intervistë të eurodeputetes dhe kryetares së delegacionit të Parlamentit Evropian për Ballkanin, Doris Pack, dhënë për TV Klan, është vënë në pah se opozita spo punon, po keqpërdoron imazhin e Shqipërisë dhe nuk është serioze. Pack ndërkohë ka përgënjeshtruar mundësinë që Shqipëria të jetë tejkaluar nga Bosnja në procesin e liberalizmit të vizave. Asnjë smund të thotë se Bosnja është më e avancuar se Shqipëria, pasi realiteti është ndryshe. Por këto vende gjenden në të njëjtën kategori, duke qenë se nuk u futën me grupin e parë në listën e bardhë Schengen. Unë kam parë që Shqipëria i përbush të gjitha kushtet teknike. Këtë e kanë deklaruar publikisht edhe kolegët e mi që erdhën në Shqipëri, - ka thënë Pack.
Si e gjykoni situatën në Shqipëri?
Shqipëria po përballet tani me një situatë absurde, pasi qeveria po punon, duke çuar çdo gjë përpara, ndërkohë që e vetmja që spunon është opozita. Nuk flas për të tërë opozitën, pasi unë kam kontakte të vazhdueshme me disa deputetë të opozitës, të cilët po vuajnë nën atë, që do ta quaja diktaturë e Edi Ramës, liderit të Partisë Socialiste. Partia nuk përfaqëson vendin dhe deputetët duhet të punojnë për ti shërbyer vendit. Ajo që socialistët po bëjnë në këtë moment po cënon imazhin e Shqipërisë, pasi edhe pse qeveria ka bërë atë që duhej të bënte, opozita po jep imazhin e mungesës së pjekurisë politike. Kjo është e turpshme dhe ata duhet ta ndalojnë këtë gjë, jo për shkak të Berishës apo Metës, por për shkak të qytetarëve. Vëzhguesit ndërkombëtarë i kanë vlerësuar zgjedhjet e qershorit si më të mirat që ka pasur Shqipëria. Unë isha personalisht atje dhe duke qenë, se kam ndjekur të gjitha proceset zgjedhore nga afër, mund të konfirmoj se ato ishin më të mirat deri tani. Nëse ka pasur ankesa, këto duhet të drejtoheshin te Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, ndaj nuk kuptoj, se si socialistët të lënë liderin e tyre të veprojë siç vepron. Kjo parti po keqpërdoron imazhin e Shqipërisë dhe kjo mund të influencojë në disa vendime që do të merren nga Këshilli i Ministrave të BE-së. Shpresoj që anëtarët e Partisë Socialiste të tregohen më të arsyeshëm se lideri i tyre, pasi ai nuk është as deputet.
Opozita kërkoi një komision hetimor parlamentar për zgjedhjet, që kur u krijua, nuk u pranua prej tyre? A e keni ndjekur këtë çështje?
Ata duan gjithnjë diçka dhe kur ia arrijnë, kërkojnë diçka tjetër. Është sjellje kalamajsh kjo. Nuk është aspak serioze. Shpresoj se anëtarët e tjerë të Partisë Socialiste të ndryshojnë diçka në partinë e tyre, pasi në këtë mënyrë, vendi nuk do të arrijë kurrë pjekurinë politike, duke u mbajtur peng nga opozita. Shpresoj që ata të kontribuojnë që vendi të ecë në një drejtim edhe më të mbarë, të mbështesin koalicionin qeveritar të përbërë prej të djathtës dhe të majtës, që është një arritje shumë e madhe për Shqipërinë, por kjo nuk i pëlqen Edi Ramës, pasi është Meta që po e kryen detyrën që ka dhe jo ai. Unë kam respekt të plotë për Metën dhe Berishën, pasi gjetën gjuhën e përbashkët për të punuar bashkë për një Shqipëri evropiane.
A është Bosnja më e avancuar se Shqipëria në procesin e liberalizimit të vizave?
Asnjë smund të thotë, se Bosnja është më e avancuar se Shqipëria, pasi realiteti është ndryshe. Por këto vende gjenden në të njëjtën kategori, duke qenë, se nuk u futën me grupin e parë në listën e bardhë Schengen. Unë kam parë që Shqipëria i përbush të gjitha kushtet teknike. Këtë e kanë deklaruar publikisht edhe kolegët e mi që erdhën në Shqipëri, duke evidentuar se kriteret janë përmbushur dhe se duhet të jepet heqja e vizave për qytetarët shqiptarë. Mund tju them, se Bosnja ka bërë disa progrese në kuadrin e liberalizimit të vizave. Nuk mund të gjykoj, nëse ata janë në të njëjtin nivel me Shqipërinë, por gjithsesi, niveli nuk mund të jetë më i mirë se i Shqipërisë.