E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eurogrup mblidhet të hënën për 130 mld €, sot telekonferencë

ATHINE - Të hënën do të jetë takimi vendimtar i Eurogroup, i cili do të marrë në konsideratë vendimet përfundimtare, për programin e ri të ndihmës për Greqinë, me vlerë 130 miliardë euro, pas miratimit nga Parlamenti grek të momorandumit të masave. 

Shtyrja e mbledhjes ka shkaktuar një tronditje të vogël në kabinetin qeveritar grek. Athina ishte duke pritur që pas miratimit të Memorandumit nga parlamenti, Eurogroup në mbledhjen që ishte planifikuar për sot, të jepte dritën e gjelbër për marrëveshjen e kredisë së re dhe shkëmbimin e bonove, por mesa duket ministrat e Eurozonës vendosën standarde të reja. 

Eurogroup do të zhvillojë sot një telekonferencë, në vend të takimit fizik të parashikuar për sot. 

Burime qeveritare thonë se Athina do të paraqesë në telekonferencën e sotme të 17 ministrave të financave të Eurozonës, një "propozim të besueshëm" për mënyrën e kursimit të 325 milionë euro nga buxheti i saj në vitin 2012, gjë që ishte një nga arsyet kryesore për shtyrjen e takimit të sotëm të Eurogroup në Bruksel. Sipas këtyre burimeve, këto para do të sigurohen nga shkurtimi i buxheteve nëpër ministri dhe përshpejtimi i shkurtimeve të pagave të vecanta. 

Gjithashtu, pala greke do dërgojë sot në Bruksel angazhimet me shkrim e liderëve politikë, për të zbatuar Memorandumin nga 2012-2015. Partnerët evropianë kërkojnë nga liderët grekë, Papandreu e Samaras, të shprehin qartë dhe me shkrim angazhimin e tyre për zbatimin e masave edhe pas zgjedhjeve politike në vend. 

Pala greke është optimiste se pas plotësimit të këtyre kushteve nga ana e saj, ratifikimi i Marrëveshjes së re të kredisë së re 130 mld Euro, do të kryhet ditën e hënë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›