E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emergjenca nga dëbora, ndihma nga ajri për të izoluarit në veri

TIRANE - Pjesa më e madhe e Shqipërisë vijon të jetë nën borë, por në veri trashësia e dëborës vijon të sjellë probleme në qarkullim dhe si pasojë emergjenca të shumta shëndetësore. Prej 15 ditësh, të izoluara mbeten dhjetëra fshatra në veri të vendit, kryesisht në Tropojë, Has, Pukë, Kukës, Malësi e Madhe, Dibër dhe Mirditë.

Helikopterët nisën ditën e djeshme operacionet për dërgimin e ndihmave ushqimore në zonat e izoluara në veri të vendit. Por pilotët e Regjimentit të Farkës ishte e pamundur ulja e helikopterit në këto zona dhe e vetmja mënyrë për t’u ardhur në ndihmë personave të izoluar ishte hedhja e ndihmave nga ajri.

Aksi Pukë-Shkodër është hapur në një korsi dhe kalohet me zinxhirë por me mjaft vështirësi. Pavarësisht punës së borëpastruesve gjatë ditës se djeshme dhe gjatë natës, asnjë prej segmenteve nuk është hapur për shkak të trashësisë së madhe të borës dhe akullit.

Në Pukë raportohet se ka mungesë të ujit të pijshëm prej disa ditësh. Edhe në Kukës vijon e njëjta situatë, ku të gjitha komunat janë të izoluara.
Ndërkohë emergjencat shëndetësore vijojnë të shtohen. Në komunën Malzi të Kukësit, ku një grua shtatzënë është gati të lindë foshnjën e saj, ndërsa sipas krerëve vendore pritet dërgimi me helikopter drejt Tiranës. Ndërkohë ka patur dhe raste të tjera emergjencash shëndetësore, por që janë zgjidhur mes banorëve.

Ndërsa në Valbonë të Tropojës vijon mungesa e energjisë elektrike prej 5 ditësh tashmë. Në Malësinë e Madhe, gjendja në Vermosh dhe Dukagjin mbetet e njëjtë, me qindra banorë të izoluar në mes të dëborës, ku trashësia arrin dhe deri në 3 metra.
Në Dibër situata vijon të përkeqësohet, pasi kanë filluar reshjet e borës dhe temperaturat kanë rënë deri në minus 16 gradë celsius.

Krerët e komunave bëjnë apel për rezerva ushqimore. Në Mirditë komuna Selit, Fan dhe fshatrat përreth janë të izoluara, ndërsa disa akse janë të kalueshme pjesërisht me zinxhirë. Mësimi është i pezulluar që prej datës 1 shkurt. Në Rrëshen temperatura minimale e regjistruar mëngjesin e sotëm është minus 7 grade.

Probleme dhe në Librazhd, ku raportohet se disa komuna nuk kanë asnjë komunikim me pjesën tjetër, pasi rrugët janë tërësisht të bllokuara nga bora.  Reshje bore dhe në qarkun e Korçës, ku ende nuk ka probleme në akset nacionale, ndërsa është i bllokuar aksi Korçë-Dardhë prej 6 ditësh. Korçë-Voskopojë kalohet me zinxhirë.

Situata më e rënduar paraqitet në komunën e Lekasit, e cila është e izoluar prej 3 javësh.Reshjet e borës kanë vijuar gjatë natës dhe në Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet, duke izoluar komunat më të thella malore. Akset drejt këtyre komunave janë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Po kështu dhe aksi Qafë Muzine-Jorgucat dhe Qafa e Llogorasë për shkak të reshjeve të borës.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: News 24 ndjek nga afër operacionin e shpërndarjes së ndihmave në veri VIDEO: Moti për sot 15 shkurt

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›