Eurogrupi miraton lirimin e këstit 8 miliardë euro për Greqinë
Pas ditëve të ngarkuara me tension, dhunë e protesta që shkaktuan madje edhe viktima e të plagosur, Greqia më në fund merr lajmin e mirë e të shumëpritur. Eurogrup ndezi "dritën jeshile" për pagimin e këstit të gjashtë të kredisë për Greqinë, gjatë takimit që zhvilloi mbrëmë në Bruksel. Lëvrimi i këstit të 8 miliardë eurove do të ndodhë dy javët e para të nëntorit, pasi kreu i Përgjithshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde të rekomandojë lirimin dhe transferimin e miliardave në Athinë. Komunikata e Eurogrupit pas vendimit, vë në dukje se ministrat e financave të Eurozonës diskutuan rezultatet e vlerësimit të programit ekonomik të Trojkës dhe pajtohen me analizën e Komisionit Evropian, FMN-së dhe BQE-së, mbi qëndrueshmërinë e borxhit. Më tej, theksohet se me qëllim që të garantohet normaliteti i borxhit grek, do të finalizohet një paketë e dytë financiare, me kombinimin e financimit shtesë nga burime publike, por edhe pjesëmarrjen e sektorit privat. Eurogrupi mirëpriti përpjekjet domethënëse fiskale të ndërmarra nga qeveria greke, të cilat do të mundësojnë arritjen e qëllimeve të saj për 2012-ën.