FAO: Vendet që varen nga importi do të vuajnë çmimet e larta
Rritja e çmimeve në rang global po vë në rrezik edhe vendet e vogla, që varen nga importi e që po vuajnë pasojat e rënda të krizës ekonomike 2006-2008. Është bërë shumë pak ose pothuajse asgjë gjatë viteve të fundit për të përmirësuar situatën. Kostas Stamoulis, drejtor i divizionit të zhvillimit bujqësor në FAO, thotë se nuk janë minimizuar shkaqet që shkaktojnë rritjen e çmimeve të prodhimeve bujqësore. “Po rritet popullsia botërore e po kështu edhe kërkesa për ushqime. Në rritje është edhe kërkesa për energji, që për një të tretën e popullsisë prodhohet nga prodhimet bujqësore nëpërmjet biokarburantit”, - tha Stamoulis. Spekulimi financiar, sipas raportit, është një nga shkaqet që kontribuon në rritjen e çmimeve, por nuk është kryesori. Sipas raportit, në vitin 2010, ata që vuanin nga uria u llogaritën në 925 milionë, nga 850 milionë persona që u vlerësuan në periudhën 2006-2008. Tri agjencitë iu sugjerojnë vendeve të industrializuara që të sigurojnë mekanizma transparentë për të promovuar investimet dhe për të rritur prodhimin bujqësor. Gjendja e vështirë vihet në pah edhe nga institucione të tjera e OJQ, si “ActionAid”. Sipas tyre, të zbatosh për ushqimin rregullat financiare, do të thotë të lësh të vdesin njerëz nga uria. Lufta kundër spekulimeve dhe paqëndrueshmërisë së çmimeve u reklamua nga Presidenca franceze e G8-s e G20-ës, por deri tani nuk ka rezultate. Sekretari i “ActionAid”, Marco De Ponte, do t’i kërkojë G20-ës të vendosë me shpejtësi në lidhje me rezervat ushqimore, eliminimin e biokarburantit, vendosjen e rregullave për tregun e derivateve ushqimore dhe për të zhvendosur burimet drejt investimeve në bujqësi. “ActionAid”, në raportin e fundit “Scorecard 2011”, liston si vendet që kanë punuar më fort në luftën kundër urisë Brazilin, Ruandën dhe Malavin.