Raporti i FMN: Sfidat e Shqipërisë, borxhi dhe rritja e ngadaltë ekonomike
Raporti i këtyre ditëve i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka vlerësuar se vendi ka përballuar mirë krizën ekonomike, mirëpo mbeten sfidë rritja e borxhit publik dhe ritmet e ngadalta të rritjes ekonomike
Ekonomia shqiptare po përballet me sfida në rritje, veçanërisht për sa i përket borxhit publik të lartë dhe rritjes të ngadaltë të prodhimit”, - tha Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit të vlerësimit të marrëveshjes me Shqipërinë. Fondi ka deklaruar se vendi e ka përballuar mirë krizën ekonomike, pasi politikat e zbatuara përgjatë viteve të para-krizës dhanë hapësirë për të zbutur ndikimet e saj. Mjedisi post–krizë ka nxjerrë në pah sfida të tjera të politikave monetare. Rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto për vitin 2011 është parashikuar të jetë rreth 2.5%, në rënie nga 3% në vitin 2009 dhe 2010. Ndërkaq, qeveria shqiptare është më optimiste në parashikimet e saj, duke arritur në shifrat 4-5 % të rritjes së ekonomisë. Në raportin e FMN-së theksohet se buxheti i shtetit nuk ka qenë performant disa herë dhe janë kryer shkurtime në rishikimet në mesin e vitit në 2010-ën dhe 2011. Ndërkaq, borxhi publik po i afrohet kufirit statutor prej 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Pavarësisht përmirësimeve, çekuilibrat e jashtëm mbeten të lartë dhe kërkesa e jashtme nuk mund të kompensojë rënien e kërkesës së brendshme. Konsolidimi fiskal është prioritet afatmesëm dhe afatgjatë dhe kërkon masa të besueshme dhe përpjekje të qëndrueshme. Ekonomia shqiptare po përballet me sfida në rritje, veçanërisht për sa i përket Borxhit Publik të lartë dhe rritjes të ngadaltë të prodhimit. Norma fleksibël e këmbimit valutor dhe regjimi i objektivit të inflacionit i kanë shërbyer ekonomisë shqiptare. Parë më thellë, politika monetare mbetet e kujdesshme dhe e koordinuar me politikën fiskale, për të përmbajtur pritshmëritë inflacioniste dhe për të ruajtur parashikimet e rritjes. Norma e këmbimit ka qenë në linjë me pritshmëritë dhe ka nxjerrë në pah se, përpjekjet e forta për konsolidimin fiskal mund të ndihmojnë për të nxitur qëndrueshmërinë e jashtme. Elasticitetit i sistemit bankar shqiptar përgjatë krizës është vlerësuar, pavarësisht rreziqeve të paralajmëruara, përfshirë ato nga ndikimi rajonal. Një pikë kyçe është zgjidhja e shpejtë e nivelit të lartë të kredive me probleme. FMN-ja ka nxitur autoritetet për të vazhduar mbikëqyrjen e bankave dhe zhvillimin e tregut të monedhës vendase, duke theksuar nevojën e rritjes së gatishmërisë përballë krizës. Krerët e Bordit Ekzekutiv të FMN-së u kanë kërkuar autoriteteve vendase për të riforcuar reformat strukturore, përmirësimin e mjedisin e biznesit dhe nxitjen e prodhimit dhe rritjes, kryesisht duke siguruar të drejtën e pronës, titujt e pronësisë dhe përmirësimin e zbatimit të kontratave. Ata nënvizuan se, statistikat e cilësisë së lartë ekonomike janë tejet thelbësore për të përmirësuar hartimin e politikave monetare. Ashtu si në 2010-ën, buxheti është përsëri nën presion. Me politikat dhe trendin aktuale, deficiti
parashikohet të rritet në 4⅔ për qind të PBB-së në 2011 dhe mbi 5 për qind në afatin e mesëm. Kjo do të çonte borxhin publik shumë afër tavanit ligjor. Ashtu siç ndodhi vitin e kaluar, një tjetër rishikim i buxhetit në mes të vitit bëhet i domosdoshëm. Duhet të realizohen shkurtime prej rreth 1½ për qind e PBB-së (20 miliardë lekë). Në vitet e ardhshme do të kërkohen akoma më shumë përpjekje për konsolidim fiskal. Mosrealizimi i përsëritur i buxhetit nënvizon nevojën për një kuadër makroekonomik më realist. Aktiviteti më i dobët ekonomik i ka vënë nën presion të ardhurat, por mosrealizimi krahasuar me buxhetin fillestar pasqyron kryesisht parashikimet tepër optimiste. Parashikime më realiste për të ardhurat mund të arrihen nëse ato do t’i ngarkohen një këshilli fiskal të pavarur dhe apolitik apo duke i bazuar ato në parashikimet e pavarura të institucioneve profesioniste. Surprizat pozitive në të ardhura, duhet të shkojnë për uljen e borxhit. Një rregull fiskal i bazuar tek shpenzimet mund të përbëjë fokusin e një politike fiskale të qëndrueshme. Nevoja e kohëve të fundit për shkurtime të paplanifikuara të shpenzimeve në mes të vitit, rrezikon përfundimin e projekteve të rëndësishme të infrastrukturës, mund të shkaktojë detyrime të pashlyera dhe vonesa në pagesa, si dhe të çojë në rritjen e shpenzimeve të institucioneve buxhetore të linjës në fillim të vitit. Nëse buxheti bazohet në një rritje të kufizuar të shpenzimeve, këto rreziqe shmangen, ulet nxitja për një optimizëm të tepruar në parashikimin e të ardhurave, ndihmon në largimin e dyshimeve të investitorëve lidhur me angazhimin e qeverisë për një qeveri të vogël, si dhe ofrohet një ankorë afat-mesme për uljen e borxhit. Për shembull, objektivi i parakrizës i qeverisë për të ulur borxhin në 50 për qind të PBB-së në afatin e mesëm, mund të arrihet nëse kufizohet rritja reale vjetore e shpenzimeve primare në 1¾ për qind.