E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fluks kërkesash për part-time, si do të përzgjidhen fituesit

SHKRUAN: Jonida Tashi 23-10-2011 10:05

Fluks kërkesash për të vijuar studimet me kohë të pjesshme në universitetet publike të vendit, e sidomos në ato të kryeqytetit. Ditën e premte të kësaj jave universitetet kanë mbyllur edhe procesin e regjistrimeve dhe sipas të dhënave të raportuara prej tyre numri i kërkesave i kapërcen disa herë kuotat e miratuara nga qeveria për studimet e pjesshme. Në këto kushte, edhe gara për të fituar një të drejtë studimi me këtë sistem do të jetë e ashpër, ndërkohë që këtë vit Ministria e Arsimit ka vendosur të forcojë edhe kriteret e pranimit, duke i bërë ato të ngjashme si me pranimet me kohë të plotë. Kështu, sipas rregullave të vendosura nga MASH, sivjet në part-time nuk do të pranohen kandidatë të shpallur fitues me Formularët A2 dhe A3, që figurojnë të regjistruar në listat përfundimtare të fituesve. Ndërkohë që për ata që kërkojnë ta vazhdojnë si fakultet të dytë part-time, pranimet do të jenë të kufizuara, pasi për çdo fakultet pjesa më e madhe e kuotave do t’u takojë atyre kandidatëve që i nisin për herë të parë studimet e larta. Sipas kushtit të përcaktuar nga MASH, kuota e çdo programi studimi do të ndahet në raportin 4:1, përkatësisht, 80% e kuotës do të jetë për program të parë studimi, dhe 20% për program të dytë studimi. Përsa i përket kritereve të përzgjedhjes së fituesve, rregulli numër një për t’u kualifikuar do të jetë nota mesatare, e cila preferohet të jetë mbi 8, ndërsa për kandidatët që aplikojnë për fakultet të dytë do të merret në konsideratë edhe mesatarja e fakultetit të parë. Burime nga universitetet saktësojnë se mesatarja e shkollës së mesme do të jetë një ndër kriteret kryesore që komisionet e përzgjedhjes do të marrin parasysh në përcaktimin kandidatëve fitues. Sipas tyre, ky rregull do të jetë i vlefshëm për të gjithë aplikantët që do të konkurrojnë për studimet e pjesshme, qoftë si program i parë apo i dytë studimi. Për rrjedhojë, kandidatët që nuk kanë një notë të mirë mesatare do ta kenë tejet të vështirë për të ndjekur studimet e pjesshme këtë vit. Kurse kandidatëve me Diplomë të Maturës të vitit 2010, mesatarja e konkurrimit do t’u llogaritet në bazë të pesë komponentëve, mesatares së shkollës së mesme dhe katër provimeve të Maturës Shtetërore. Bazuar në kriterin e mesatares dhe saktësisë së dokumenteve të paraqitura, fakultetet do të përcaktojnë emrat e fituesve në rend zbritës, sipas notës mesatare, deri në plotësimin e kuotës së përcaktuar. Sipas afateve të vendosura nga MASH, pas përzgjedhjes së kandidatëve, universitetet do të afishojnë listat e fituesve në datën 27 tetor, të ndarë sipas programeve përkatëse të studimit. Regjistrimi i kandidatëve fitues do të kryhet nga data 1 deri më 6 nëntor. Në procesin e regjistrimit kandidatët fitues duhet të paraqesin vetëm Diplomën e Maturës Shtetërore dhe Dëftesën e Pjekurisë, origjinale të shkollës së mesme, ndërsa kandidatëve jofitues do t’u kthehen dokumentet kundrejt kërkesës.

Kuotat

80% e kuotave do të përdoren për studentë që nuk janë regjistruar në asnjë program studimi ose nuk kanë përfunduar një të tillë në universitetet publike, me kohë të plotë ose të pjesshme.

20% e kuotave të miratuara nga qeveria, do të përdoren si program i dytë studimi për kandidatë që kanë përfunduar një program studimi universitar. Kjo ndarje do të vlejë për të gjitha universitetet.

Pranimet, 20% e kuotave për fakultet të dytë

Gara për të fituar të drejtën e nisjes së fakultetit të dytë, sipas sistemit të pjesshëm të studimeve, do të jetë e ashpër. Kjo për arsye se kërkesat e kandidatëve për të marrë një diplomë të dytë në xhep janë tepër të larta, krahasuar me kuotat që qeveria ka vënë në dispozicion për program të dytë studimi, në ciklin e parë të studimeve me kohë të pjesshme. Për rrjedhojë, megjithëse numri total i kuotave të pranimit për çdo degë, për studimet e pjesshme është i konsiderueshëm, kandidatëve për fakultet të dytë u është lënë një numër i kufizuar vendesh, deri në 20% të numrit total të pranimeve. Më konkretisht, nëse marrim rastin e Fakultetit të Drejtësisë, për të cilin janë miratuar 250 kuota pranimi; nga këto, 200 do të jenë për fakultet të parë, ndërsa 50 për fakultetet të dytë. Ndërkohë që të njëjtin rregull për ndarjen e kuotave të pranimit në studimet e pjesshme do të respektojnë edhe fakultetet e tjera të vendit, të cilat pjesën më të madhe të kuotave do t’ia lënë kandidatëve, që për arsye të ndryshme nuk kanë pasur mundësi të vijojnë shkollën e lartë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›