E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kritika BE-së për kaosin në zgjidhjen e krizës

Përpjekjet për zgjidhjen e krizës së euros vazhdojnë, por vendimet për fondin e shpëtimit nuk priten para të mërkurës. Ndërkohë shtohen kritikat për aftësinë menaxhuese në zgjidhjen e krizës së borxheve. Fillimisht u fol për një shtyrje të samitit, pastaj papritmas me dëshirën gjermano-franceze, një ndarje e samitit. Vendimet kryesore për ombrellën e shpëtimit të euros, për shpëtimin e bankave dhe ristrukturimin e borxhit të Greqisë nuk mund të merren para të mërkurës së ardhshme. Pak para takimit të ministrave të Financave të grupit të euros në Bruksel, presidenti i Eurogrupit, kryeministri i Luksemburgut Jean-Claude Juncker, shprehu fuqishëm pakënaqësinë për kaosin në planifikim. "Efekti i jashtëm është katastrofik. Ne nuk japim këtu shembullin e duhur të një udhëheqjeje shtetërore të nivelit të lartë, dhe në të ardhmen do të na duhet të shohim se si do ta ndryshojmë sërish imazhin tonë". Franca dëshiron që fondi i shpëtimit të bëhet praktikisht një bankë. Ajo pastaj do të mund të huazonte para nga Banka Qendrore Evropiane. Por sipas pikëpamjes gjermane kjo do të rriste rrezikun për taksapaguesit. Përveç kësaj, Berlini i druhet një inflacioni të mundshëm. Prandaj siç duket, ky opsion nuk ndodhet më në tryezën e bisedimeve. Qeveria gjermane në vend të saj kërkon një zgjidhje përmes sigurimit. Fondi i shpëtimit do të mbulonte një pjesë të rrezikut të mosfunksionimit dhe kjo do të inkurajonte investitorët që të blejnë obligacionet e vendeve të goditura nga kriza. Gjithashtu po shqyrtohet edhe mundësia e përfshirjes së FMN-së.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›