E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet biznesmeni nga Berati, kërkohej për vrasje



Kishte filluar një jetë të re me një tjetër identitet në kryeqytet, por pas 12 vjet kërkimesh ai ra në pranga. Policia e Tiranës në bashkëpunim me atë të Beratit organizuan një operacion, ku arrestuan të shumëkërkuarin Arben Shehu. Sipas burimeve zyrtare, 38-vjeçari kërkohej nga drejtësia shqiptare, pasi ai ishte shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale të vrasjes. I ndaluari kishte arritur t’i shmangej operacioneve të policisë për vite me radhë, pasi ai përdorte një identitet të rremë. Shehu jetonte në kryeqytet, por lëvizte edhe për në vendlindjen e tij në Berat. Sipas burimeve, ai ishte pronar i një mobilierie në qendër të Tiranës, përkatësisht në rrugën “Myslym Shyri”, ku zhvillonte aktivitetin e tij si tregtar.

Arratisja

Në vitin 1993, Shehu banonte në qytetin e Beratit. Ai u ndalua nga policia, pas një ngjarjeje të ndodhur, ku mbeti i vdekur një person. Pas përfundimit të gjyqit në ngarkim të tij, ky shtetas u dënua me 21 vjet heqje lirie me vendim të datës 16.01.1993 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, për konsumim të veprës penale të “vrasjes”. Shehu u dërgua në burg për të vuajtur dënimin, por gjatë vitit të trazirave 1997, ai arriti që të arratisej nga qelitë e burgut. Duke qenë në kërkim të vazhdueshëm, më pas 38-vjeçari emigroi jashtë kufijve të Shqipërisë për disa kohë. Me gjithë kërkimet e bëra nga policia, ai nuk po arrihej të vihej në pranga. I kërkuari për vrasje, arriti që për 12 vjet t’i shmangej policisë, madje duke u strehuar dhe zhvilluar aktivitet tregtar në qendër të kryeqytetit.

Arrestimi

Por, dy muaj më parë u morën informacione të vlefshme në rrugë operative dhe pas hetimeve të zhvilluara nga ana e hetuesve në Tiranë e Berat, u arrit që të binin në gjurmë të të kërkuarit për vrasje. Nisur nga kjo, Sektori i Operacioneve Speciale të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Berat në bashkëpunim me strukturat operacionale të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, pas një hetimi disajavor, përfunduan me sukses operacionin policor të koduar “Mangalem”, duke bërë të mundur arrestimin e Arben Shehut, lindur e banues në Berat. Sipas burimeve zyrtare policore, ai kishte hapur një dyqan ku shiste mobilie në rrugën “Myslym Shyri”, ndërkohë që njihej me një tjetër identitet. Por, manovrat e bëra nga Shehu për t’iu shmangur arrestimit nuk arritën të ishin të suksesshme. Uniformat blu i dorëzuan 38-vjeçarin Drejtorisë së Burgjeve, ku ai u shoqërua në qelitë e burgut, për të vuajtur dënimin e dhënë nga Gjykata e Beratit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›